
Edhe Universiteti Polis nga Tirana mbështet kërkesën që lulëkuqja të bëhet simboli i gjenocidit në Kosovë
Një përkrahje domethënëse për kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit erdhi nga Universiteti Polis në Tiranë.
Ky universitet e ka cilësuar nismën e Qendrës si “Një nismë mbarëkombëtare për ndërgjegjësimin e shoqërisë brenda e jashtë vendit, mbi të drejtën e patjetërsueshme të shqiptarëve për vendosjen e drejtësisë për mijëra të vrarë, të humbur e të dhunuar prej gjenocidit të ushtruar në Kosovë gjatë viteve 1997-1999.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” ka falënderuar stafin e Universitetit Polis dhe e ka vlerësuar lartë kontributin e kuadrit pedagogjik të këtij universiteti që çështja e simbolit të përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë dhe domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë të merr përmasa mbarëkombëtare.