Edi Rama duhet të reagojë si kryeministër i Shqipërisë dhe jo si kryetar i një organizate joqeveritare!
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Pas agresionit serb kundër shtetit të Kosovës më 24 shtatorit 2023, reaguan institucione shtetërore dhe rajonale me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, parti politike, OJQ dhe personalitete të ndryshme!
Mirëpo ndriçimi i përmasave të krimit që kishte përgatitur Serbia duhet të alarmojë të gjithë se këtu nuk bëhet fjalë për banda kriminale jashtë kontrollit shtetëror, por kemi të bëjmë me një plan luftarak të Serbisë që rrezikon paqen dhe sigurinë e kësaj pjesë të Europës Juglindore. Si i tillë, ky agresion duhet të shqyrtohet urgjentisht në kuadër të Këshillit të Sigurimit, si përgjegjës kryesor i ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe në kuadër të Këshillit të NATO-s, sepse “zjarri që ka ndezur Serbia” rrezikon të përfshi së paku edhe tri shtete të NATO-s, që janë në kufij me Serbinë.
Reagimi i kryeministrit Rama, nëpërmjet së cilit deklaron se Serbia “i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur”, është qëndrim dinjitoz për një kryetar organizate joqeveritare!
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk duhet të kënaqet me kërkesën publike që “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosovës”, por diplomacia shqiptare duhet të mobilizohet si asnjëherë më parë që të parandalohet një shpërthim me pasoja të paparashikueshme!
Shqipëria është anëtare e përkohshme e Këshilli të Sigurimit të OKB-së dhe anëtare e Këshillit të NATO-s, si organ politik vendimmarrës i Aleancës të Atlantikut Verior. Duke qenë pjesë e këtyre organeve më të rëndësishme të sigurisë, shteti shqiptar duhet ta alarmojë rrezikun që paraqet Serbia për Kosovën dhe për krejt rajonin!