Edi Rama: Gjyqi kundër udhëheqësve të UÇK-së, “barrë për ndërgjegjen e botës demokratike”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas deklarimeve të zyrtarit të HRW-së, Frederick Abrahams se në raportin e tij për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja, ka cituar mediat serbe për “ndalime dhe abuzime” në vitin 1998.
Kreu i Qeverisë shprehet në median sociale “Facebook” se balta e propagandës kundër UÇK-së është ngjitur deri në raportin e një organizate prestigjioze si Human Rights Watch.
“Ky është një moment i gjyqit kundër Presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë, ku ndjehesh realisht keq për ideatorët e kësaj trupe speciale, e cila deri më tash special ka vetëm misionin e saj të pamundur të prokurorëve të saj, për të provuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë kriminelë lufte”, theksoi Rama.
Sipas tij, ky gjyq po kthehet në një barrë në ndërgjegjen e botës demokratike.
Çfarë ndodhi?
Zyrtari i organizatës ndërkombëtare jo-qeveritare që kryen kërkime dhe avokon mbi të drejtat e njeriut – Human Rights Watch, Frederick Abrahams, përfundoi më herët dëshminë e tij për këtë javë në Gjykatën Speciale në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte.
Gjatë dëshmisë së tij, Abrahams u mor në pyetje nga avokati Ben Emmerson, i cili mbron ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, derisa e ka pranuar se ka gabuar në raportin e tij për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja duke e hartuar me citate nga mediat serbe për “ndalime dhe abuzime” në vitin 1998.
“Është e saktë, së pari dua të di për cilën media bëhet fjalë. Sepse në punën tonë kemi bërë dallim midis mediave shtetërore. Bënim dallim mes mediave, sepse shteti kishte kontroll të fortë, dhe kishte organe të tjera mediale që ishin më të pavarura”, tha ai.
“Ne kemi intervistuar edhe gazetarë të tjerë dhe kemi paraqitur edhe burime të tjera. Ne besonim që kishte informacione mjaftueshëm për t’u mbështetur në këto abuzime të pretenduara për zhdukjen e disa personave”.
Avokati po ashtu e ka pyetur dëshmitarin se pse i ka cituar mediat serbe që ishin të ndikuara nga ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Millosheviç.
“Keni përfshirë edhe raportimet e televizionit shtetëror serb RTS, pjesa me madhe programit thotë se masakra në Obri është inskenuar nga mediat perëndimore ose nga terroristët shqiptarë. Mediat serbe pretendonin që ishte krim i inskenuar. Nga e vlerësuat besueshmërinë e këtyre burimeve ju?”, ka pyetur Emmerson dëshmitarin.
Abrahams është përgjigjur duke thënë se “hetimi i krimeve” të pretenduara të kryera nga UÇK-ja ishte i vështirë.
“Në atë kohë ne e kishim të paqartë. Ne nuk kishim prova që urdhrat ishin nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së”, u përgjigj ai.
Avokati Emmerson e ka pyetur dëshmitarin edhe për raportin e Dick Marty-t, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku pretendohet se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.
Por, Abrahams theksoi se raporti i Dick Marty-t nuk ishte “fundi i historisë”, meqë sipas tij, raporti dërgoi në krijimin e një task-force speciale hetimore të BE-së.
“Nëse shohim deklaratën përmbyllëse të Williamson-it thuhet shumë qartë se konstatimet e tyre, që gjetjet janë përgjithësisht në raportet me raportin e Dick Marty-t. Janë intervistuar qindra njerëz nga Task Forca”, tha ai.
Ai do vazhdojë dëshminë e tij të hënën dhe do merret në pyetje nga avokatët e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Raportet e HRW janë marrë gjithmonë si shumë të besueshme në Kosovë, por pranimi i autorit të tyre se pjesa kryesore e të dhënave kanë qenë të ofruara nga Serbia, ka vënë tashmë në pikëpyetje të madhe vërtetësinë e tyre.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.