Edi Rama i kundërvihet Gjukanoviqit dhe Osmanit për “Ballkanin e Hapur”
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i është vënë kundër presidenitit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani të mërkurën pas deklaratës së tyre të përbashkët kundër “Ballkanit të Hapur,” iniciativës për bashkëpunim rajonal që zyrtarisht përkrahet nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por refuzohet nga Kosova, Bosnja Herzegovina dhe Mali i Zi.
Rama ka vënë sërish peshën e tij politike prapa kësaj iniciative rajonale përkundër kundërshtimit të vazhdueshëm të saj nga akterët politikë në rajon.
“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nismë nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, ka shkruar Rama në rrjetin social “Twitter”.
Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot.
— Edi Rama (@ediramaal) May 18, 2022
Reagimi i tij vjen vetëm disa orë pas deklaratës së presidentit malazez Gjukanoviq dhe presidentes së Kosovës Osmani të cilët thanë se nuk e shohin “Ballkanin e Hapur” si një iniciativë të qëlluar rajonale dhe se do të vazhdojnë të mbështesin iniciativat tjera rajonale, të cilat janë krijuar më parë, siç është Procesi i Berlinit.