Edi Rama: Ibrahim Rugova ishte lider i pazakonshëm në Ballkan

10 qershor 2024 | 13:21

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai ka thënë se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, pa politikën e tij afruese me aleatët, nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd.

Në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Edi Rama, ka thënë se “po flas sot mbi njeriun që e ka shënjuar historinë e shqiptarëve”.

“Rugova ishte revolucionar me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetas revulocionar. Rugova ishte si intelektual i nxjerr nga arkivat e kohës romantike”, ka thënë Rama, duke shtuar se s’ka politikan tjetër si Rugova.

“Ai ishte i papërsëritshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrjedhën e politikës së tij. Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona”, ka thënë Rama.

Sipas tij, Rugova kishte besuar verbërisht tek aleancat dhe aleatët.

Rama ka thënë se Rugova i dha Kosovës aleancën me ndërkombëtarët si pasuri natyrore që vendi i tij nuk e kishte.

“Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës. Ishte lider i pazakonshëm në Ballkan”, ka thënë Rama.

Sipas tij, Rugova ishte i vetmi në këtë vend që kishte kuptuar se konflikti nuk është rruga për drejtësi afatgjate.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair është pritur në takim nga kryetari…