Edi Rama ka të drejtë, Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe duhet të lirohet, thotë profesori amerikan

17 maj 2023 | 20:33

Paraqitjet publike të kryeministrit shqiptar Edi Rama në organizatat më të mëdha ndërkombëtare sikurse sot në Islandë, në përpjekje të zbardhjes së të vërtetës rreth akuzave të pabazuara për trafikim organesh të senatorit Dick Marty, kanë nxitur vëmendje të personaliteteve të ndryshme në botë.

Një nga disa fjalimet e tij, ajo e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, është vlerësuar lartë edhe nga profesori i universitetit Southern Methodist University të Teksasit, Ravi Batra. Ai është ekonomist i njohur, botues dhe autor i disa librave të vlerësuara si bestseller nga gazeta amerikane The New York Times.

Në një editorial ai ka shkruar në titull se kryeministri shqiptar ka goditur padrejtësinë djallëzore kundër Kosovës dhe Hashim Thaçit.

Batra ka përshëndetur dhe shprehur nderim për fjalimin që ai e quan pasionant të kryeministrit Rama para liderëve të shteteve anëtare të OKB-së, në New York, në shtator të vitit të kaluar.

“I mbështesë plotësisht përpjekjet e tij që vetëm e vërteta dhe drejtësia të mbështesin paqen e qëndrueshme, pasi mashtrimi dhe padrejtësia ndjellin luftë. Dikush mund të argumentojë se Lufta në Ukrainë është prova A”, ka shkruar ai në America Times.

”Të paditësh kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi për marrjen e organeve të serbëve pa asnjë provë është djallëzore, pasi është një padrejtësi në një nivel gjenocidal të sovranitetit të Kosovës”, ka theksuar ai.

Në editorialin e tij ka kërkuar që ish presidenti Thaçi duhet të lirohet dhe ai si dhe qytetarët e Kosovës të dëmshpërblehen për vuajtjet dhe dëmtimin e reputacionit për shkak të akuzave të rënda për trafikim organesh.

“Këshilli i Evropës, që mund të ketë qenë i motivuar për të bërë gjënë e duhur duke ndaluar çfarëdo trafikimi organesh, tani pasi që ka zero prova për çdo keqbërje, duhet ta lirojë Hashim Thaçin, pasi ai është i pafajshëm, ta dëmshpërblejë atë financiarisht për vuajtjet e tij dhe dëmtimin e reputacionit, dhe po kështu edhe kombin dhe qytetarët e Kosovës të cilëve u janë grabitur të drejtat sovrane në bashkësinë e kombeve”, ka thënë në editorialin e tij profesori me prejardhje indiane, Ravi Batra.

Përderisa kryeministri Edi Rama vazhdon të kërkojë nga Këshilli i Evropës që të përfshijë të vërtetën në këtë institucion lidhur me raportin e Dick Martyt, në Hagë, në Gjykatën e ngritur bazuar mbi këtë raport, është duke vazhduar gjykimi ndaj Thaçit dhe krerëve tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Katër persona kanë dëshmuar deri më tash në seanca të mbyllura për çka sot është njoftuar se edhe trupi gjykues ka shprehur shqetësimin për këtë.

 

Burimi:

Editorial: Albania’s P.M. Edi Rama Rocks UNGA, and Exposes the Evil Injustice done to Kosovo & Hashim Thaci

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me homazhe dhe tubim përkujtimor në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e…