Edi Rama në Bosnje dhe Hercegovinë: Të sigurohet lëvizja me ID e qytetarëve të Kosovës
Kryeministri Edi Rama njoftoi se po diskutohet për hapjen e ambasadës shqiptare në Sarajevë.
“Ne dëshirojmë të forcojmë marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën, jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Sarajevë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare, që janë të garantuara në kushtetutën e Shqipërisë”.
Më tej, Rama kërkoi që Bosnje dhe Hercegovina të lejojë qytetarët e Kosovës të hyjnë me karte identiteti në vend.
“Lëvizja me ID e qytetarëve të Kosovës të sigurohet, sepse është e pakuptimtë të kemi kështu problemesh”.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo, u shpreh se bashkëpunimi mes vendeve të rajon është i rëndësishëm dhe ndihmon Procesin e Berlinit.
“Ne kemi biseduar lidhur me masat e marra dhe iniciativat që kemi ndërmarrë lidhur me Procesin e Berlinit dhe takimin që do të bëhet në Tiranë. Pas këtij takimi, do të vazhdojmë me intensifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe në rajon”.
Megjithatë, Kristo pranoi se ende Bosnje dhe Hercegovina nuk ka arritur marrëveshjen për lëvzijen e lirë mes shteteve.
“Dy iniciativa nuk kemi arritur ti bëjmë dhe nuk jemi ende të gatshëm, lidhur me lëvizjen e lirë ndërmjet shteteve”.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor, që do të mundësonte heqjen e regjimit të vizave midis Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës është bllokuar pas Republika Sërbska ka votuar kundër në Kuvend.
Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u pajtuan në tetor të vitit të kaluar dhe nënshkruan më 3 nëntor marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit, të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Procesit të Berlinit dhe qytetarët e Bosnjës dhe Kosovës llogariteshin si përfituesit kryesor. Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të kundërshtimit nga Republika Serbe.