Edi Rama pasi vizitoi Hashim Thaçin në Hagë: Çmallje e nevojshme, ai është në top formë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas vizitës që ia ka bërë në Hagë ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ai gjendet në formë të mirë. Rama ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk mundet të futet në korniza të reja dhe se për pastërtinë e saj janë të bindur të gjithë.
Ai ka theksuar se gjykimi në Hagë për Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së ishte “rrugë e pashmangshme”.
“Çmallje e nevojshme. Presidenti Thaci gjendet në top formë, i bindur mbase edhe më shumë sesa kur e kam takuar para se të vinte këtu, që ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht para drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të UÇK-së. Nuk ka shumë për të thënë. Të gjithë jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza tjera, sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, gjakut të dhënë dhe natyrisht të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej në Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”, ka thënë Rama.