Edi Rama shpërthen në Twitter me emoji dhe fjalë kritike në mbrojtje të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut
Ishte kjo video gjatë takimeve në darkën e punës në Samitin e Selanikut mes liderëve të Ballkanit dhe me pjesëmarrjen e kancelarit gjerman Scholz, që ngjalli një lumë reagimesh të politikës maqedonase, kryesisht opozitës atje, të cilat shkuan deri aty sa t’i kërkonin dorëheqjen Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Edhe pse duket qartë ironia e Kryeministrit Edi Rama, i cili me shaka i “prezanton” Kancelarit Scholz, Kovaçevskin, si Kryeministrin e “Bullgarisë së ardhshme perëndimore”, duke nënkuptuar veton bullgare ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, faktori opozitar në Shkup e ka quajtur këtë batutë “poshtërim” dhe “cënim të dinjitetit” të kombit maqedonas.
Reagimet ishin nga më të ashprat:
Kryetari i VMRO-DPMNE, Vllado Misajlovski: “Dimitar Kovaçevski nuk e mbron, por e shet identitetin dhe Maqedoninë. Tjetër flet para kamerave, kurse pas tyre shohim se si qeshet dhe miraton që të quhet Bullgaria Perëndimore”, shprehet Misajlovski i cili kërkon dorëheqje dhe ndjesë nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Kryetari i OBRM-PDUKM, Hristijan Mickoski: “Dinjitetin ose e ke, ose nuk e ke fare. Kur nuk e ke, atëherë sharjet dhe poshtërimet të duken qesharake! Megjithatë, për popullin jo! Ndaloni poshtërimet e shtetit, papërgjegjshmërinë dhe grabitjen e popullit. Është e tepërt!” – ka shkruar Mickoski, pas së cilës ka bërë thirrje për protestë të madhe më 18 qershor para Qeverisë.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski: “Askush nuk ju respekton nëse nuk tregoni respekt për veten, por gjithashtu ktheni respekt për ata që ju respektojnë. “Shakaja” e Ramës është e papranueshme, ai i ka borxh që t’i kërkojë falje kryeministrit dhe mbarë opinionit maqedonas. Kovaçevski në vend të buzëqeshjes duhet të kthejë me reciprocitet dhe të kërkojë falje. Heshtja është më shumë se një turp! Kështu mendoni për ndërtimin e një Ballkani të Hapur?” – ka shkruar Dimitrievski.
LSDM përpiqet të ulë tensionin
“VMRO-DPMNE-ja u përpoq të shtrembërojë një deklaratë ironike të Kryeministrit të Shqipërisë, sarkazma e të cilit tashmë dihet në opinion dhe ka të bëjë me bllokimin e Bullgarisë dhe sjelljes drejt procesit të zgjerimit të BE-së. Sarkazma dhe ironia e Ramës janë publike dhe të njohura, por asnjëherë nuk i janë drejtuar ndaj vendit tonë, përkundrazi,” thotë LSDM.
“Për të qeshur e për të qarë”
Pas gjithë këtyre reagimeve që prej 2 ditësh ziejnë në mediat maqedonase e jo vetëm ka ardhur edhe shpërthimi i Kryeministrit Edi Rama.
“Për të qeshur dhe qarë histeria e disave në Shkup ndaj Kryeministrit Kovaçevski, pas publikimit të videos së duarshtrëngimeve me Kancelarin Scholz në Selanik, ku ironizova bllokadën e shëmtuar ndaj Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë! Sherr mejhaneje mes tymit të qofteve,” shkruan Rama.