Edi Rama sulmon Haradinajn për taksën, thotë se Albin Kurti është në rrugën e duhur
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Ramush Haradinaj me paturpësi po e sulmon Albin Kurtin.
Ai ka thënë se ish-kryeministri Haradinaj po baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës ndaj Serbisë.
Rama përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, ka shkruar se Albin Kurti është në rrugën e duhur!
Postimi i plotë i Ramës në “Twitter”:
Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!
Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës, se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!
Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës.