Edi Rama u përgjigjet akuzave për pazar me Sali Berishën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me negociatat e Partisë Socialiste (PS) me Rithemelimin e Sali Berishës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama i është përgjigjur akuzave ndaj këtyre negociatave, duke mohuar pazaret “me ‘non-gratën’ dhe duke respektuar kushtetutën”.
“Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me ‘Non-Gratën’, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize! Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetëra herë, qysh se refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro! Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek ‘pazarin me Non Gratën’, i cili thjesht nuk ekziston?”, ka thënë Rama.
Sa i përket Komisionit të reformës zgjedhore, ai ka thënë se nëse nuk prodhon asgjë veç sherrit, do të mbyllet kur t’i përfundojë afati, dhe në zgjedhje do të shkohet me kodin zgjedhor aktual.
“Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim. Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn ‘Non Grata’ në këtë mes?!”, ka thënë Rama.
Rama ka theksuar se nuk është PS-ja që ka ndryshuar qëndrim por janë deputetët e opozitës që kanë reflektuar.
“Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë. Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh”, ka thënë Rama “A2CNN”.