Edi Rama ua dorëzon Francës dhe Gjermanisë një draft për Asociacionin në Kosovë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgatitur një draft të Asociacionit për komunat me shumicë serbe.
Ai këtë draft ka bërë me dije se ua ka dorëzuar Gjermanisë dhe Francës, më saktë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.
Lajmin e ka bërë me dije vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Michel dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.
“Palët nuk po merren dot vesh se as kush duhet ta shkruaj këtë tekst, e jo më se çfarë do të ketë teksti”, është shprehur Rama.
Rama ka deklaruar se është dokument konfidencial, dhe sipas tij Asociacioni do të ishte pjesë e organizimit të jetës së Kosovës dhe bazuar në Kushtetutë.
“Bindja ime është se asnjë nga palët nuk e do Asociacionin dhe do të bëjnë çmos ta shtyjnë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me artifica politike dhe teknike. Nga ana tjetër besoj se çdo ditë e më shumë, krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur derën e afirmimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, njohjes nga të gjithë, uljes në Kombet e Bashkuara dhe gjithë forumeve ndërkombëtare dhe njohjes së ndërsjellë me Serbinë,” -“Deklaratat e aleatëve janë gjithnjë e më alarmante. E pakuptueshme ngurrimi i autoriteteve të Kosovës, ku dukshëm çdo orë e humbura e madhe është Kosova. Serbia po bën atë që ka bërë herë të tjera, ndërsa Kosova ka bërë atë që kurrë më parë s’e ka bërë dhe po fajësohet botërisht nga gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar”.
“Nuk është fati i Albin Kurtit në lojë sot, por fati i Kosovës si e tërë. Unë dua vetëm suksesin e Kurtit, Kosovës, dhe asgjë tjetër, por nuk mundet të rrimë më duke parë, në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë, sepse është kërcënim shumë i madh që Kosovës nuk i vjen nga Serbia por nga reduktimi i raporteve me aleatët, në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova. Ky është shqetësimi”, ka thënë Rama.