Edi Rama viziton familjen e ish-presidentit Thaçi në Burojë (foto)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar të dielën familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë të Skenderajt, i cili gjendet në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë.
Rama është pritur nga djali i ish-presidentit Thaçi, Endriti, familjarë të tjerë e miq të shumtë të Thaçit.
Në shenjë nderimi dhe respekti për vizitën, kryeministrit Edi Rama i është dhuruar flamuri i UÇK-së.
Kryeministri shqiptar në këtë vizitë ishte i shoqëruar edhe nga ministra të kabinetit të tij qeveritar.
Rama, i cili gjenden në Kosovë për të zhvilluar takimin ndërqeveritar Kosovë-Shqipëri të hënën, vizitën e tij e nisi me vizitën në disa biznese dhe në shtëpinë e ish-presidentit Thaçi.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, kohëve të fundit ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë. Pas kësaj vizite në Hagë, Rama ishte deklaruar për medie: “Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë, i bindur mbase dhe më shumë se kur e kam takuar më parë se të vinte këtu, se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërçipërisht përpara drejtësisë, pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, të udhëheqësve të UÇK-së. Natyrisht që të gjithë në jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, e gjakut të dhënë dhe natyrisht e të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej në Kosovën e lirë dhe sovrane.