Edi Shukriu shpallet fituese e çmimit letrar ‘Beqir Musliu’ 2019
Shkrimtarja dhe arkeologia Edi Shukriu është shpallur fituese e çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i komunës së Gjilanit për arritje të veçanta në letërsi.
Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje: Ibrahim Kadriu, Sadete Tërnava Osmani dhe Hasan Bunjaku.
Kryetari Haziri, e ka falënderuar jurinë profesionale për punën dhe vlerësimin, ndërsa e ka uruar shkrimtaren dhe arkeologen, Edi Shukriu, për të cilin ka thënë se ka dhënë kontribut të madh në lëmin e letërsisë dhe të arkeologjisë.
“Nominimi i sivjetmë i Edi Shukriut i bën nder murit të lavdishëm të çmimit ‘Beqir Musliu’, pasi veprimtaria e saj, udhëtimi, letrat dhe librat që ajo sot I ka, natyrisht që edhe neve na bëjnë nder. Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim, ai është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion”, ka thënë Haziri.
Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të trembëdhjetë nga Komuna e Gjilanit.
Në fund, kryetari i këtij klubi, shkrimtari Sabit Rrustemi, e ka falënderuar kryetarin Haziri që po vazhdon ta nderojë jetën dhe veprën e kolosit të letrave shqipe, Beqir Musliu.
/Epoka e re/