Edin Kolgeci, kryetar i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës
Edin Kolgeci është zgjedhur kryetar i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Ai ka marrë mbështetjen e plotë të delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur të enjten në Prishtinë, ku ishte kandidati i vetëm për këtë post, ka njoftuar FHK.
“Kolgeci pason Eugen Saraçinin, i cili ka drejtuar FHK-në për tri mandate. Në strukturën e re udhëheqëse, nënkryetar është zgjedhur Xhavit Morina, ndërsa anëtare të Bordit me votat e delegatëve u emëruan Fatmire Ferati dhe Vlora Jashari. Pjesë e bordit të ri janë edhe Shemsa Sadiku, që përfaqëson komunitetet, Isak Osmani nga Shoqata e Gjyqtarëve dhe Faruk Shala nga Shoqata e Trajnerëve”, ka shkruar FHK.
Sipas njoftimit të FHK-së, Kolgeci ka shfrytëzuar të drejtën statutore për të emëruar tre anëtarë të tjerë të Bordit, të cilët janë Eugen Saraçini, Fisnik Salihu dhe Andi Haxhikadrija.