Edita Tahiri i reagon Lajçakut, kërkon që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratës së të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak rreth Asociacionit të komunave serbe.
Tahiri ka thënë se emisari i BE-së për dialog Lajçk ka kërkuar zbatimin e Asociacionit, madje, sipas saj, paska shkuar më larg duke kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, raporton “Epoka e re”.
“Qeveria jonë është dashur që të kërkojë që Serbia ta ndryshojë Kushtetutën duke hequr Kosovën nga Kushtetuta e saj. Por nuk dëgjuam se qeveria jonë ka kërkuar diçka të tillë. Gjatë kohës sime si kryenegociatore në dialogun e Brukselit kam kërkuar vazhdimisht si dhe kam dërguar një memorandum tek BE-ja për heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, duke theksuar se kjo është pikënisje drejt njohjes reciproke dhe jo ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e saj në “Facebook”.