Edita Tahiri në Gjenevë i reagon delegacionit serb: Kosova është dhe do të jetë përgjithmonë shtet
Ish-zëvendëskryeministra dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është duke qëndruar në Gjenevë ku po merr pjesë në takimin e OKB-së të nivelit qeveritar të shteteve Euro-Azi për shqyrtimin e barazisë gjinore 25 vjet pas Konferencës së Pekinit.
Në këtë takim ku po diskutohet për fuqizimin e grave, Tahiri ka polemizuar me delegacionin serb, duke ia bërë të qartë se Kosova është shtet edhe pse nuk është pjesë e OKB-së.
“Unë jam në OKB në Gjenevë duke marrë pjesë në takimin e niveleve qeveritare të vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore që ka të bëjë me shqyrtimin e përparimeve dhe sfidave të barazisë gjinore që nga koha e Platformës së Pekinit, pra shqyrtimi 25-vjeçar i të arriturave she sfidave. Kosova nuk është e përfaqësuar meqenëse nuk është e përfaqësuar e OKB-së, por unë jam këtu e ftuar nga UN Women dhe kur u përmend Kosova në mesin e shteteve nga zyrtarë të caktuar që ishin në konferencë, pala serbe reagoi duke thënë se ‘Kosova nuk duhet të përmendet si shtet meqë nuk është anëtare e OKB-së’. Pastaj në diskutimin tim që pata në lidhje me idetë për fuqizimin e grave, polemizova me palën serbe duke u thënë se Kosova është shtet dhe do të jetë përgjithmonë shtet pavarësisht se ende nuk është anëtare e OKB-së”, ka treguar Tahiri për gazetën “Epoka e re”.
Më tutje para të pranishmëve ajo ka përmendur rastin e Zvicrës e cila ka qenë shtet edhe gjatë një kohe kur nuk ka qenë anëtare e OKB-së.
Tahiri ka theksuar se të jesh apo mos të jesh pjesë e OKB-së nuk e konteston çështjen e shtetësisë.
Ish-ministrja për dialog u ka bërë të qartë delegacionit serb se shteti i Kosovës është i njohur fuqishëm dhe është i vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
“Po ashtu ua përmenda se Zvicra është shtet dhe ka qenë shtet edhe kur nuk ka qenë në OKB me vetë dëshirë. Kështu që të jesh apo mos të jesh pjesë e OKB-së nuk e konteston çështjen e shtetësisë. Po ashtu ua bëra me dije se shteti i Kosovës është i njohur fuqishëm dhe është i vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND)”, është shprehur Tahiri në forumin që po mbahet në Gjenevë.
Ajo ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ka qenë e rëndësishme që edhe njëherë në një forum ndërkombëtar t’i bëhet e qartë Serbisë se Kosova është shtet dhe duhet ta pranojë këtë realitet.
“Pra ishte e rëndësishme që pala serbe edhe në një forum të OKB-së ku ishin të gjitha shtetet pjesëmarrëse nga Euro-Azia të dëgjoj se Kosova është shtet dhe se duhet ta pranojë realitetin e lindjeve të shteteve të reja dhe përfundimit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë sepse ata ende janë me mentalitete hegjemoniste”, ka deklaruar Tahiri.
/Epoka e re/