Edita Tahiri në Kajro ndan përvojën e saj për proceset paqësore të Kosovës
Pas një konference intensive treditore në Kajro, ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka ndarë përvojat e saja për proceset paqësore të Kosovës me gra lidere dhe aktiviste nga Jemeni, ku tash sa vite zhvillohet luftë e vuajtje.
“Shpresoj se kam arritur t’u jap shpresë dhe t’i frymëzoj që të luftojnë për ëndrrën e tyre, duke ua rrëfyer luftën dhe qëndresën tonë me plotë vuajtje për liri dhe pavarësi. Natyrisht nuk ishte e lehtë të dëgjosh fjalimet plot tragjedi e vuajtje sepse ato më rikthyen te tragjedia e popullit tonë por edhe krenaria për fitoren e luftës kundër okupatorit serb. Nuk ju fola shumë për pasluftën, sepse u desh t’ju tregoj si ka rënë idealizmi në Kosovë dhe interesat personale të disa politikanëve kanë zënë peng Kosovën tonë. Nuk desha t’i zhgënjej që të mos e humbin forcën e lirisë”, ka shkruar kryetarja e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, Edita Tahiri në llogarinë e saj në “Facebook”.
Konferenca ishte organizuar nga CMI, Deep Root dhe zyra e BE-së në Jemen.
/Epoka e re/