Edita Tahiri në Nju Jork: Ndryshimi i kufijve rikthen armiqësitë e vjetra dhe luftërat e reja
Ish-ministrja për Dialog Edita Tahiri, në cilësinë e kryetares e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore po qëndron në një vizitë pune në Nju Jork, ShBA, me ftesën e UNWomen për të marrë pjesë në aktivitetet që lidhen me Sesionin e 63-të të Komisionit të OKB-së për statusin e grave.
Gjatë këtij qëndrimi që përfshinë një varg aktivitetesh, ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, u takua me ambasadoren amerikane në OKB, Cherith Chalet, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.
Ajo me këtë rast ka falënderuar ShBA-të për gjithë mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në proceset e lirisë dhe pavarësisë, duke thënë se populli i Kosovës do të jetë çdo herë mirënjohës për këtë mbështetje, raporton “Epoka e re”.
Tahiri ka theksuar se ShBA-ja ka hyrë në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës si aleatja kryesore dhe strategjike.
Duke folur për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, Edita Tahiri ka theksuar se në këtë kohë në vend se të ketë përparime janë shfaqur ide të rrezikshme për prekje kufijsh të cilat mund ta kthejnë rajonin prapa, duke rikthyer armiqësitë e vjetra dhe luftërat e reja.
Ajo ka thënë se Kosova është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. “I gjithë spektri politik e institucional janë kundër, jemi kundër ne themeluesit e këtij shteti në mesin e të cilëve jam unë personalisht. Pavarësisht se presidenti i Kosovës z. Thaçi është angazhuar rreth kësaj ideje të rrezikshme, ai është i vetmuar në këtë çështje dhe nuk gëzon përkrahje”, ka thënë Tahiri.
Edita Tahiri ka theksuar se ideja e ndryshimit të kufijve dëmton shtetësinë dhe territorin e Kosovës e cila u fitua pas një lufte e sakrificash të shqiptarëve përgjatë një shekulli.
Ajo ka theksuar se mbështetja amerikane dhe aleatëve perëndimorë ishte vendimtare për ta krijuar shtetin e Kosovës e cila tashmë është e njohur ndërkombëtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi dhe kufijtë e sajë janë njohur ndërkombëtarisht.
Ish-ministrja Tahiri ka kërkuar nga ShBA-të që të mbështesin Kosovën dhe kufijtë e sajë, ndërsa ka kërkuar që të ndalet Rusia e Serbia në ambiciet e tyre gjeopolitike për të rikthyer dominimin në Ballkan përmes ideve të tilla hegjemoniste.
“Vendet e Ballkanit përfshirë Kosovën janë përcaktuar për drejtimin gjeopolitik perëndimor dhe ardhmërinë euroatlantike”, ka thënë ajo.
Nga ana saj, ambasadorja amerikane Cherith Chalet ka shprehur kënaqësinë për takimin dhe ka mirëpritur bisedat dhe analizat për zhvillimet më të reja në Kosovë dhe rajon.
Ajo ka theksuar se ShBA-të mbështesin shtetin e Kosovës në rrugën e sajë euroatlantike dhe i gëzohen çdo progresi në Kosovë dhe për popullin e Kosovës.
Ambasadorja Chalet po ashtu ka thënë se do ta njoftojë qeverinë amerikane rreth përmbajtjes së bisedave të këtij takimi.
/Epoka e re/