Edita Tahiri në OKB kërkoi përfshirje më të madhe të grave në negociata paqësore
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet e Brukselit, Edita Tahiri, njëherësh kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore ka qëndruar në New York, ku mori pjesë në takimin e UNWomen të OKB-së rreth fuqizimit të grave në procese paqësore dhe negociata paqësore (më 16 dhe 17 maj 2018).
Në këtë takim morën pjesë tridhjetë gra eksperte nga gjithë bota, duke përfshirë gra negociatore të paqes, akademike, analiste të fushës, etj.
Temë qendrore e këtij takimi dyditor ishte “Pjesëmarrja përmbajtësore e grave në negocimin e paqes dhe zbatimin e marrëveshjeve paqësore”, ku angazhimi i pjesëmarrëseve u fokusua në gjetjen e rrugëve për të avancuar pjesëmarrjen kuptimplote të grave në proceset e paqes në pajtim me kërkesat e Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit dhe rezolutave tjera derivuese, raporton “Epoka e re”.
Në këtë takim, Edita Tahiri, ka folur për përvojat e saja si negociatore e paqes në periudhën e luftës dhe paqes në Kosovë, duke përfshirë pjesëmarrjen e sajë në Konferencën e Rambujesë (1999), në negociatat e vitit 1998 si parapërgatitje për Konferencën e Rambujesë si dhe për rolin e sajë si kryenegociatore e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit gjatë shtatë viteve (2011-2017).
Ajo ka vlerësuar se gratë kanë potenciale për të qenë negociatore të suksesshme për paqe sepse janë të përkushtuara për paqe dhe drejtësi, duke treguar shembullin e sajë, që në periudhën e pasluftës, si grua kryenegociatore kishte arritur marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shteteve me një histori armiqësore ku Serbia kishte qenë jo vetëm shtet okupator por kishte bërë një gjenocid të paparë ndaj popullit të sajë shqiptar. “Baza e çdo marrëveshje paqësore duhet të jetë drejtësia dhe ardhmëria paqësore, e tillë që siguron që historia e shtypjeve dhe luftës nuk do të përsëritet ma asnjëherë”, ka thënë Tahiri, duke theksuar se gratë mund të japin kontribut esencial për këto qëllime.
Ajo po ashtu tha se në proceset ndërkombëtare paqësore për ndaljen e luftërave në Ballkan, në kuadër të zhbërjes së ish-Jugosllavisë, fatkeqësisht kanë munguar gra në tryezat e bisedimeve, përveç vet asaj që ka qenë e vetmja grua negociatore e paqes në gjithë Ballkanin.
Edita Tahiri ka kërkuar nga OKB-ja dhe Sekretari Gjeneral i sajë që të angazhohen për pjesëmarrjen sa më të madhe të grave në negociatat për paqe dhe procese paqësore në përgjithësi, duke qenë se shkenca dhe praktika kanë argumentuar që pjesëmarrja e grave në negociata paqësore, rrit gjasat për arritjen e marrëveshjeve paqësore, paqëbërjen e paqëndërtimin e qëndrueshëm.
Në kuadër të këtij takimi, Edita Tahiri u takua me Paivi Kannisto, udhëheqëse e Departamentit për Paqe dhe Siguri në UNWomen, me të cilën ka biseduar rreth angazhimit të grave të rajonit të Ballkanit në proceset e paqes dhe nevojën për një mbështetje sa më të madhe nga nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare, në interes të një paqe dhe sigurie të qëndrueshme si dhe për përshpejtimin e integrimeve euroatlantike.
/Epoka e re/