Edita Tahiri: Nuk po shoh qeverisje vizionare dhe vendimmarrëse
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e ka quajtur pa vizion Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Ajo ka thënë për “Epokën e re” se edhe kur janë marrë vendimet, shumica prej tyre kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
Tahiri ka theksuar edhe pse Kosova ka Qeveri të pakicës, opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar këtë qeveri.
“Nuk po shoh një qeverisje vizionare dhe vendimmarrëse. Edhe kur janë marrë vendimet, shumica prej tyre kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Me vjen mirë që demarkacioni është miratuar sepse ka hapur rrugën për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Evropë. Mirëpo, në përgjithësi, nuk po shoh ndonjë kapacitet të kësaj Qeverie përballë përgjegjësive që ka për shtetin dhe qytetarët. Kemi Qeveri të pakicës, në anën tjetër as opozita nuk e ka shumicën për ta rrëzuar, pra është pat pozicion. Kjo mund t’i zgjasë jetën Qeverisë, por nuk i shërben qëllimeve madhore, si: përshpejtimit të reformave evropiane, krijimit të ushtrisë, obligimeve në luftën kundër korrupsionit dhe të tjera”, ka thënë Tahiri.
Po ashtu, Tahiri ka thënë se Qeverisë Haradinaj i mungon edhe vendimmarrja. “Këto ditë po shohim ngritjen e aktakuzave ndaj ministrave dhe Qeveria do të duhej të jetë në shërbim të sundimit të ligjit. Nuk kam parë shumë vendosmëri, por do të shohim çfarë do të sjellë e ardhmja. Po ashtu, nuk më kanë pëlqyer zhvillimet e fundit politike ku asnjëri institucion nuk e merrte përgjegjësinë në dy rastet, kur u dëbuan disa qytetarë turq nga Kosova dhe kur hyri ilegalisht Gjuriqi në Kosovë. Reflekton keq për qytetarët dhe është skandaloze kur asnjë nga krerët e institucioneve, sidomos pjesa ekzekutive, pretendon se kinse nuk kanë njohuri për gjërat që ndodhin”, është shprehur Haradinaj.