Edita Tahiri: Serbia nuk është e interesuar për dialog
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar konferencën “Rruga drejt marrëveshjes finale Kosovë-Serbi”.
Në këtë konferencë ishte e pranishme edhe ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka thënë se nuk ka qartësi nga bashkësia ndërkombëtare për planin gjeopolitik, dhe se në vend që të shkohej drejt arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi bisedimet shkuan në biseda për ndarje të territoreve.
“Çështja e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës-Serbisë është në një fazë kur edhe faktori ndërkombëtarë duhet të ketë një qartësi, e tani për tani nuk ekziston në planin gjeopolitik. Në vend se procesi i bisedimeve të shkonte rreth arritjes së një marrëveshjes së qëndrueshme debati u zhvendos në çështje kufijsh, dhe tregoi se Ballkani si ka kryer ende punët. Ne po dalim me ide të dëmshme, siç ishte ndarja e territorit dhe pati edhe përkrahës siç ishte presidenti, dialogu nuk u ndal për taksën po për copëtim të territorit. Pa njohje reciproke në kufi aktual nuk do të ketë paqe të qëndrueshme, do të ketë luftë”, ka deklaruar Tahiri.
Ajo ka theksuar se BE-ja dhe ShBA-të të marrin një qëndrim sa i përket procesit të dialogut. “Serbia nuk është e interesuar për dialog. Duhet të ketë një plan ndërkombëtar, t’i thuhet Serbisë se nëse nuk e njeh Kosovën nuk do të anëtarësohet në BE, duhet t’i pamundësohet e drejta e vetos. Kapitullin e 35 që e ka Serbia, pra e ka vetëm Serbia, dhe në kapitullin e 35 thuhet se Serbia duhet të përfshihet në një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka shtuar se është për keqardhje që në Serbi është një president që ende e mohon gjenocidin në Kosovë.