Edmond Azemi shpreson të fitojë edhe më shumë trofe me Prishtinën
Njëri nga lojtarët me më shumë trofe në basketbollin e Kosovës është Edmond Azemi.
Kapiteni i Sigal Prishtinës ka fituar shumë trofe, aq sa e ka vështirë t’i numërojë. Së fundi e fitoi Superkupën e Kosovës me Prishtinën, duke mundur Rahovecin. Pikërisht në xhiron e parë, Rahoveci e pret Sigal Prishtinën në “Mizahir Isma”.
Edo flet për synimet me Prishtinën në këtë edicion. “Duam të fillojmë mirë kampionatin e Kosovës. Rahoveci ka një ekip shumë të mirë dhe e respektojmë. Duam ta nisim mirë, në mënyrë që të vazhdojmë me fitore edhe më pas. Synimi i Prishtinës është gjithmonë të luftojë për trofe. Fituam titullin, Kupën dhe Superkupën. Shpresojmë se do të kemi një edicion sa më të mirë, si në garat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Ky edicion i Superligës do të jetë shumë interesant, sepse ka shumë ekipe që janë përforcuar dhe besoj se, nuk do të jetë aspak lehtë. Ne jemi përgatitur dhe shpresojmë në një edicion sa më të mirë”, ka thënë Azemi për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai mbetet një shembull për gjeneratat e reja, pasi edhe përkundër moshës është gjithmonë i rregullt në stërvitje dhe zhvillon një jetë sportive.
Ndeshja Rahoveci-Sigal Prishtina zhvillohet të dielën nga ora 19:00 në “Mizahir Isma”.