Edvin Kuç dhe Armend Thaqi e konfirmojnë largimin nga Ballkani
Armend Thaqi dhe Edvin Kuc pasi fituan Kupën e Kosovës sot me Ballkanin, konfirmuan se nuk do të jenë më pjesë e skuadrës nga Suhareka me të përfunduar edhe xhiroja e fundit e Superligës.
Thaqi e konfirmoi kalimin te Cluj në Rumani, ndërsa Edvin Kuc tha se karrierën do ta vazhdojë në Azerbajxhan te Neftçi Baku.
“Me të përfunduar kjo ndeshja, ka përfunduar edhe koha ime te Ballkani. Sigurisht e kemi edhe një xhiro në Superligën e Kosovës, që është revyale, ku do të na dorëzohet kupa dhe pas përfundimit të kampionatit karrierën do ta vazhdojë jashtë vendit. Klubi im i ardhshëm është Cluji”, tha Armend Thaqi për Sport 1.
Ndërsa Edvin Kuc, që ishte kapiten i skuadrës së Ballkanit, tha: “Kur kam ardhur këtu, jo vetëm Suhareka por e gjithë Kosova më ka përkrahur. Kam qenë si në shtëpi. Vitin e parë nuk fitova asgjë, ndërsa tani po iki duke fituar të gjitha. Falënderoj Suharekën, familjen Kabashi, familjen Maksutaj, trajnerët, bashkëlojtarët, por tani ka ardhur koha të largohem. Karriera ime do të vazhdoj në Azerbajxhan, do të luaj te Neftchi Baku.”
Armend Thaqi e Edvin Kuc e ndihmuan Ballkanin që të fitojë tre herë radhazi Superligën e Kosovës dhe tashmë nga sot edhe Kupën e Kosovës, ndërsa u paraqitën në mënyrë fantastike edhe në grupe të Ligës së Konferencës.