Efektet e taksës, mallrat e Serbisë pakësohen dukshëm në tregun e Kosovës
Janë bërë gati tetë muaj kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Që nga kjo periudhë, importi nga Serbia ka shënuar rënie drastike, thonë autoritetet kompetente në Kosovë.
Serbia, e cila para vendosjes së taksës ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, për këta tetë muajt e fundit ka rënë si eksportuese e mallrave në rreth 4 milionë euro.
Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit të kaluar, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo më shumë se 360 milionë euro brenda një viti.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se “gjatë ditëve të fundit nuk është vërejtur ndonjë rritje e importit nga Serbia apo rritje e kontrabandës.
“Më duhet të theksoj se mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nga nëntori i vitit të kaluar, kanë shënuar rënie drastike, kur flitet për importin”, ka thënë Stavileci.
Mesatarja ditore e importeve nga Serbia, ka thënë Stavileci, është rreth 10 dërgesa, ku një pjesë prej tyre janë ndihma humanitare, disa janë dërgesa komerciale, të cilat i nënshtrohen taksës prej 100 për qind. Produktet komerciale janë, ushqime, lëndë e parë, paketimi etj.
“Vlera e përgjithshme e importeve nga Serbia ka arritur në rreth 4 milionë euro”, ka thënë Stavileci.
Vetëm në muajin maj, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia në Kosovë ishte 519 mijë euro, nga më shumë se 39 milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe, të aplikimit të taksës, disa shoqata ekonomike dhe organizata joqeveritare kanë bërë hulumtime lidhur me efektet e taksës nga aspekti ekonomik. Disa hulumtime kanë rezultuar se kjo taksë ka ndikuar në rritjen e prodhimeve vendore, përderisa organizata joqeveritare kanë pohuar se efektet nuk kanë qenë në nivel të kënaqshëm.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se edhe pas vendosjes së taksës, në treg nuk ka pasur mungesë të produkteve, pasi afaristët në Kosovë shumë shpejt kanë gjetur alternativa për zëvendësim të produkteve nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.
“Ne i konsiderojmë dy efekte kryesore, i pari ka të bëjë me riorientimin e tregtisë. Për të gjitha ato produkte, me të cilat tregu i Kosovës është furnizuar nga Serbia dhe Bosnja, sot ka zëvendësime nga vendet tjera. Dhe e dyta, ajo që vërehet është një prezencë më e madhe e produkteve vendore të konsumit të gjerë”, ka thënë Rukiqi.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/taksa-ndaj-mallrave-serbe/30052107.html.