Efektet sezonale forcojnë euron në vend
28 gusht 2018
| 21:24
Fillimi i largimit të emigrantëve ka filluar të ndjehet lehtë te kursi i këmbimit valutor. Në tregun vendas një euro është këmbyer sot me 125.84 lekë, me një rritje prej 0.16 pikësh krahasuar me një ditë më parë. Dita e sotme ka shënuar të pestën ditë radhazi që euro fiton pikë ndaj lekut, edhe pse me diferenca të vogla. Ky është niveli më i lartë i muajit të fundit.
Sipas aktorëve kryesorë të tregut ky vlerësimin i euros ndaj lekut është si pasojë e efekteve sezonale, ku me largimin e emigrantëve, euro rimerr veten në tregun vendas.
Ndërsa për sa i përket monedhës së gjelbër, ajo vijon që të humbasë pikë përkundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar është këmbyer sot në nivelin e 107.62 lekëve, rreth 0.59 pikë më pak se një ditë më parë. Në dy ditët e para të kësaj jave dollari amerikan është zhvlerësuar përkundrejt lekut me më shumë se një lek. Ky zhvlerësim i dollarit vjen pasi preku nivelin më të lartë të këmbimit që prej fillimit të vitit, ndikuar kryesisht nga tregu ndërkombëtar. Dollari fitoi terren përkundrejt euros në tregjet ndërkombëtare.