Egjipti refuzon kalimin e amerikanëve nga Gaza, nëse ndihmat nuk lejohet të shkojnë për palestinezët
Egjipti e ka refuzuar një kalim të mundshëm të shtetasve amerikanë nga Gaza, nëse nuk lejohet fillimisht kalimi i ndihmave për palestinezët në Gaza.
Kështu ka raportuar media Sky News Arabia, sa i takon situatës së fundit në Lindjen e Mesme, në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, pas sulmit të përgjakshëm të këtyre të fundit më 7 tetor, ku më shumë se 1 mijë e 300 izraelitë mbetën të vrarë.
Nga ana tjetër, prej përgjigjes së Izraelit me sulme masive ajrore në Gaza, kanë mbetur të vrarë të paktën 2 mijë e 215 palestinezë, prej të cilëve 724 fëmijë.
Kalimi i ndihmave humanitare drejt Gazës është ndërprerë tërësisht nga ana e Izraelit, duke shtuar këtu edhe mungesën tërësore të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, apo furnizimeve të ndryshme.
Një korridor humanitar për kalimin e palestinezëve të pafajshëm është kërkuar prej ditësh, por pa u arritur ende.
Edhe pse Izraeli pretendoi se një i tillë ishte hapur, bombardimet e zhvilluara aty e pamundësojnë tërësisht kalimin e civilëve palestinezë.
Mirëpo në Gaza ka edhe shtetas të etnive të tjera dhe situata kaotike veçse e ka bërë më të pamundur kalimin e tyre për nga kufiri me Izraelin, apo edhe ai me Egjiptin.
Këta të fundit prej ditësh po ashtu po punojnë për krijimin e një mundësie tjetër kalimi (jo nga kufiri i tyre), duke mos marrë përsipër pritjen e refugjatëve palestinezë, të cilët ë kushtet e luftës mund të jenë edhe me qindra mijëra, apo deri në 1 milion.
Vetë Hamasa nga banorët e Gazas ka kërkuar që të mos i lënë vendbanimet e tyre dhe të mos ikin tjetërkund.
Por, situata mes bombardimeve të vazhdueshme është katastrofike dhe përgjigja e Izraelit nuk ka ndërmend të ndalet. Madje, ajo mund të përshkallëzohet më tej, me një inkursion tokësor brenda territorit të Gazas.