Egjipti sjell në Itali 1.5 milion maska
Egjipti ka dërguar 1.5 milion maska në Itali për ta ndihmuar vendin për përballimin e situatës nga koronavirusi. Njoftimin për dërgimin tyre e ka dhënë Ministria e Jashtme e Italisë.
“1.5 milion maska të ardhura nga Egjipti mbërritën në Itali”, njoftoi ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, në faqen e vet zyrtare në “Facebook” dhe publikoi disa prej fotografive me ndihmat mjekësore të ardhura jo vetëm nga Egjipti, por edhe nga Brazili dhe Rusia.
Mediat lokale njoftuan se avioni “EgypAir”, që mbante dërgesën, u ul në aeroportin “Malpensa” në qytetin verior të Milanos. Dorëzimi nga Egjipti u pasua nga një dërgesë tjetër prej 40 000 maskash nga India, shtoi ai.
“Mjekët, infermierët dhe punonjësit e shëndetit shoqëror aktualisht vuajnë nga mungesa e pajisjeve mbrojtëse, veçanërisht maskat”, tha Di Maio, duke shtuar se punonjësit e zbatimit të ligjit dhe të shpëtimit, personeli ushtarak dhe punëtorët e fabrikës janë gjithashtu të prekur nga mungesa e maskave.