Egla: Teatri si shtëpia ime dhe ‘Big Brother’ si shtëpia e fitores
Egla Ceno, një nga figurat më të spikatura të vitit 2024, ka arritur të shkëlqejë në shumë fronte, duke lënë një ndikim të pashlyer në botën e artit dhe televizionit shqiptar. Fitorja e saj në Big Brother VIP Albania ishte vetëm një ndër momentet kulminante të një viti të mbushur me sukses dhe sfida, ku Egla jo vetëm që ka ndarë me publikun emocionet dhe pasionet e saj, por ka pasuruar edhe skenën teatrale me projektet që ka sjellë.
Me një karrierë që ngjall respekt dhe admirim, ajo vazhdon të ndërthurë artin dhe angazhimin shoqëror, duke sjellë një shembull të fortë të gruas që gjithmonë lufton për atë që beson, por që ruan një ekuilibër të brendshëm të natyrës së saj artistike.
Në këtë intervistë ekskluzive për Telegrafin, Egla Ceno na hap dyert e jetës dhe karrierës së saj, duke ndarë me ne një pasqyrë të thellë mbi rrugëtimin e saj në botën e aktrimit dhe ndikimin që ka pasur tek publiku shqiptar. Ajo flet për teatrin, pasionin e pandalshëm për artin dhe për sfidat e përditshme që ka përjetuar në rrugën e saj profesionale, ndërsa na tregon se si ka arritur të ruajë ekuilibrin mes jetës publike dhe private, duke mbetur gjithmonë e sinqertë dhe autentike në çdo hap që ka bërë.
“Ishte një vit shumë “i zhurmshëm” për shijet e mia, por “vetë e kruajta kurrizin”, siç themi ne nga Berati. Do të kisha dashur që kjo zhurmë dhe vëmendje të kishte ardhur gradualisht gjatë viteve si rezultat i punës sime si aktore, por rreth 15 vjet i humba në emigracion, kështu që “i futa” një Big Brother dhe ja ku jemi”, u shpreh ajo.