Egnatia ndalet edhe ndaj Dinamo City, Skënderbeu mund Laçin
Egnatia regjistron ndeshjen e pestë radhazi pa fitore në kampionat. Rrogozhinasit, nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Dinamo City në shtëpi.
Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, në të dytën Egnatia kaloi e para në avantazh falë një supergoli të shënuar nga Zejnullai në minutën e 50-të. Ky avantazh zgjati pak, pasi 13 minuta më vonë, Kaçorri vendosi baraspeshën.
Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe dy ekipet ndanë nga një pikë. Me këtë barazim, Egnatia mbetet në krye të renditjes me 50 pikë, ndërsa Dinamo zbret në vendin e pestë me 36 pikë.
Skënderbeu mori një fitore shumë të rëndësishme 1-0 ndaj Laçit. Pas një ndeshje të ekuilibruar me raste të shumta nga të dyja krahët, në minutën e 88-të, ishte Ardit Nikaj, që shënoi golin e fitores për korçarët. Me këtë triumf, Skënderbeu ngjitet në vendin e katërt me 37 pikë, ndërsa Laçi mbetet në vendin e shtatë me 30 pikë.