Egoja personale përballë shenjtërisë kolektive
Albin Mehmeti
Egoja personale përballë shenjtërisë kolektive
(Fakti dhe fiksioni në tregimin “I ringjalluri i penduar”)
Rexhep Qosja, në zhanrin e prozës, përveç romaneve, u paraqit edhe me tregimin satirik I ringjalluri i penduar, i cili për nga gjatësia më shumë i përngjan novelës, madje edhe romanit, por autori e quajti atë tregim, duke pasur parasysh se Qosja është ithtar i postmodernizmit dhe, ky i fundit, në literaturën teorike llogaritet si epoka e fundeve, ndër ta edhe fundi i zhanrit të pastër tradicional.
Baltosja e shenjtërisë
I ringjalluri i penduar është rrëfim nga paslufta e Kosovës, ku çdo gjë shkonte ters, madje për përfitime personale, njerëz të caktuar u munduan ta shfrytëzojnë edhe të shenjtën për të arritur aty ku dëshirojnë. Duke i ikur kontekstit politik të veprës, do të mëtojmë të ndalemi në kontekstin historik, social e psikologjik të banorëve të Kosovës apo, siç quhet në vepër me emrin e vjetër si Dardania, të shqiptarëve në veçanti, por edhe të Ballkanit në përgjithësi.
I ringjalluri i penduar mëton ta godasë lakminë individuale njerëzore që shkon aq lart saqë përpiqet ta shkatërrojë edhe shenjtërinë kolektive, shkatërrimi i së cilës do të thoshte pasoja katastrofale të ekzistencës shoqërore. Në njërën anë, për lexuesin semantik ky tregim është sulm ndaj një grupi të caktuar, që për ta janë njerëz të njohur, kurse në anën tjetër për lexuesin semiotik ky tregim është sulm më shumë ndaj fenomenit të përvetësimit të heronjve për qëllime personale dhe lojës me narrativa të mëdha sesa sulm ndaj një grupi a klani të caktuar. I ringjalluri i penduar para se të jetë sulm ndaj grupeve të caktuara është mbrojtje për heronjtë dhe figurat të tjera madhore, rreth dhe për të cilat gjithmonë trumbetohet dhe ka nuanca të përvetësimit personal a klanor.
I ringjalluri i penduar na vjen përmes rrëfimit të narratorit Çerem Çapari, gazetar dhe mjek, si dhe emër i njohur nga romani Një dashuri dhe shtatë faje. Ngjarjet, të cilat zhvillohen në roman, janë të afërta nga aspekti kohor historik ku ndeshemi me personazhe historike reale që kontribuuan në një kohë të caktuar historike. Tek I ringjalluri i penduar kemi ringjalljen dhe ardhjen e Skënderbeut në Kosovë për ta kryer një mision të caktuar politik. Ky, pa dyshim, është tregim fiksional, që tejkalon edhe mundësitë e të mundshmes, por që ndërlidhet me një ngjarje reale, atë të ngritjes së shtatores së Skënderbeut në Prishtinë më 28 nëntor 2001.
I ringjalluri i penduar para se të jetë satirë politike është satirë shoqërore, ku goditen ashpër fenomene që e përcollën, e përcjellin dhe vazhdojnë ta përcjellin shoqërinë shqiptare që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.
Laramanët
Pas ardhjes së Perandorisë Osmane në trojet shqiptare dhe veçanërisht në Kosovë ndërroi edhe struktura fetare e popullsisë. Njerëzit filluan të pranojnë fenë islame. Por, pas pranimit të besimit të ri ndodhi një fenomen interesant, që literatura shkencore e njeh si kriptokrishterizëm dhe gjuha e popullit e njeh laramani. Kriptokrishterizmi është praktikimi i fshehtë i krishterimit në rrethe të ngushta familjare, kurse në anën tjetër, në publik, praktikon dhe respekton ritet e një feje tjetër. Në atë kohë, por edhe tani, shpeshherë ka një vijë të vogël ndarëse mes feve që praktikojnë shqiptarët. Krishterët festojnë festa myslimane dhe anasjelltas. Kur sëmureshin fëmijët krishterë nga syri i keq shkonin te klerikët myslimanë dhe e kundërta. Kjo, sipas historianit Oliver Shmit, ndodhi si rezultat i mosnjohjes së përmbajtjeve të besimit dhe ndjekjes së të gjitha rregullave të besimit.[1] Edhe personazhet e Qosjes janë të njëjtë. Nuk bëjnë dallim çka është islame dhe çka është e krishterë. Muhamet Turjeta, edhe pse ishte besimtar mysliman, pranon të rrëfehet në kishë pasi ai nuk bën dallim mes kishës dhe xhamisë[2]. Muhamet Turjet paraqet më së miri edhe mentalitetin e përgjithshëm të popullit shqiptar te të cilët besimi fetar nuk luan rol në determinimin e jetës së tyre. Gjatë rrugës së Skënderbeut për në Prishtinë, ai do të ndeshet me një episod interesant, ku do të ndërhyjë në një konflikt i cili zhvillohej mes dy grupeve, të cilët diskutonin se si ta varrosnin një meit, me hoxhë apo pa të. Njëri grup thoshte se duhej të varrosej nga hoxha, pasi që ai i përkiste bashkësisë së myslimanëve, kurse grupi tjetër pretendonte se ai e kishte lënë amanet që të varrosej pa hoxhë. Kjo paraqet laramanët e rinj, por jo edhe kriptokrishterët, pasi që individë të caktuar jetojnë në një bashkësi dhe familje me religjion të caktuar, festojnë festa fetare, por që në të vërtetë nuk e konsiderojnë veten pjesë të asaj bashkësie apo të atij rrethi. Pas përballjes me këtë konflikt, heroi real nacional, por edhe heroi fiksional i veprës, Skënderbeu, do të theksojë se ata që nuk merren vesh si ta varrosin të vdekurin e kanë të vështirë të merren vesh për jetën e të gjallëve.[3] Kjo paraqet mendësinë e popujve të vegjël të cilët të rënë në grackën e agjenturave të huaja do të vazhdojnë të merren me punë të vogla dhe kështu devijojnë dhe largojnë mendjen nga puna e gjëra të rëndësishme, madje edhe të tilla që janë esenciale për vendin dhe të ardhmen e popullit.
Topika e figuruar
Tek I ringjalluri i penduar ngjarja zhvillohet në dy shtete, në Kosovë dhe në Shqipëri, por që thuajse gjatë gjithë kohës narratori Çerem Çapari, por edhe kryepersonazhi, Skënderbeu, i referohen me emrat antikë e mesjetarë, Arbëri dhe Dardani. Në asnjë rast nuk kemi referim të qyteteve me emra realë, por me përshkrime të cilat e bëjnë të veçantë atë qytet. Një lexues i vëmendshëm dhe i cili i njeh specifikat e qyteteve të Kosovës do ta kuptojë se për cilin qytet bëhet fjalë. Sapo Skënderbeu do të hyjë në Kosovë, do të ndeshet me qytetin afërkufitar, që nënkuptohet të jetë qyteti i Prizrenit. Më tej Prishtinës i referohet gjithmonë vetëm me Kryeqytet, qyteti me tymtarë për Obiliqin, apo edhe për qytetin ku janë të fushuar shumë ushtarë që nënkuptohet për Ferizajn. Topika e Qosjes është sa reale, po aq edhe fiksionale. Shpeshherë Qosja ka krijuar edhe ndërtesa areale, të paqena në një vend të caktuar, e tillë si fabrika e duhanit Indipendenca, apo edhe vendin ku strehoheshin dhe kujdeseshin për qentë. Në të dy rastet, përmes topikës së caktuar, Qosja deshi të paraqiste disa mendime të tij, që në të shumtën e rasteve ndërlidheshin me një realitet tjetër historik, madje edhe politik.
E djeshmja dhe e sotmja përmes dy këngëve
Kur erdh Skënderbeu në Kryeqytet, në pritje i dolën i madh dhe i vogël, me flamuj kombëtarë e me flamuj partiakë, si dhe dy personazhe fiktive, e Djeshmja dhe e Sotmja, të cilat janë më shumë sesa personazhe. Ato janë veçori kulturore, sociale e historike. Qosja nuk bën një dallim të madh mes tyre, dhe se ato nga jashtë nuk dallojnë; dallojnë nga brenda. I dallon kënga që këndojnë.[4] Derisa e Djeshmja, thërret në këngë të cilat e himnizojnë të djeshmen komuniste dhe heronjtë e bashkim-vëllazërimit, e Sotmja thërret në këngë që himnizon trimërinë nacionale dhe heronjtë shqiptarë. Përmes këngës të së Djeshmes dhe të Sotmes na dalin në pah dy ideologji të kundërta me njëra-tjetrën. Tek e para kemi internacionalizmin që na jepet përmes Titos dhe bashkim-vëllazërimit, kurse në anën tjetër kemi idenë nacionaliste që na jepet përmes dy figurave të mëdha historike shqiptare, Skënderbeut dhe Adem Jasharit. E Sotmja dhe e Djeshmja, para se të jenë fiksion, janë një realitet historik, ai i përballjes së ideologjive njëra me tjetrën, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë historike dhe politike.
Veçoritë ballkanase
(Qasje krahasimtare mes Qosjes dhe Domanoviqit)
Raportet etnike në mes të shqiptarëve dhe serbëve historikisht ishin dhe vazhdojnë të jenë të tendosura, ku shpeshherë kanë ndodhur luftëra dhe konflikte. Rezultat i këtyre konflikteve ndikoi që mes popujve të krijohet hendek në komunikim dhe dallime mes tyre. Por, pavarësisht prej këtyre dallimeve dhe moskomunikimit mes popujve, prapëseprapë ka virtyte e, ndoshta, më shumë vese që barten nga kultura e një kombi në kulturën e një kombi tjetër. Kemi raste kur autorë të caktuar trajtuan çështje të njëjta, madje edhe në periudha të ndryshme historike. Një rast të tillë patëm ngjashmëritë mes Rexhep Qosjes dhe shkrimtarit serb Radoje Domanoviq.
Radoje Domanoviq (1873-1908) është shkrimtar i njohur i letërsisë serbe, i njohur kryesisht për tregimet satirike. Satira është puna kryesore letrare e Domanoviqit. Me to ai zënë një vend të shquar në historinë e letërsisë serbe. Në to ai shfaqi individualitetin e vet letrar të spikatur.[5] Të dy autorët patën fatin që të jenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në zhvillimet historike për fatin historik e madje ekzistencial të popujve përkatës. Domanoviqi bënte pjesë në partitë politike të kohës në periudhën pas pavarësisë së Serbisë, kurse Qosja ishte pjesë aktive në zhvillimet për liri e pavarësi të Kosovës në fundin e shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI. Kohët historike, përveç anës së lavdisë, kanë edhe pjesën e turpit. Janë pikërisht këto veprime që ranë në shënjestër të shkrimtarëve, ku te Domanoviqi kemi “Krajleviq Marku për herën e dytë midis serbëve” dhe te Qosja spikat tregimi “I ringjalluri i penduar”.
Si temë kryesore në të dy tregimet është ringjallja pas më shumë se pesë shekujsh të heronjve nacionalë, të Krajleviq Markos dhe të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Karakteristikë e të dy heronjve është se të dy janë hierarki e lartë, mbretër e princër, njëri i Mbretërisë së Prilepit, kurse tjetri i Principatës së Kastriotëve. E përbashkët e dy heronjve, dhe që i bënë aq të rëndësishëm në popull, është se të dy janë pjesë e pashkëputshme e identitetit kombëtar. Tema e ringjalljes e dalë nga mitet parabiblike dhe biblike është shfaqur edhe në letërsinë gojore shqiptare si në balada dhe përralla të ndryshme. Ringjallja e Krajleviq Markos është përmendur më herët në këngë epike serbe, por edhe në letërsinë e shkruar si në dramën “Ringjallja e Princ Markos” të Francesko Dell’Ongeros. Edhe Qosja përmend ringjalljen e princit serb, ku thotë se Shenjtëria e tij e asaj kohe ua ka ringjallur serbëve Kraleviç Markon në prag të luftërave ballkanike.[6] Në tregimet e lartpërmendura autorët e kanë realizuar ringjalljen e heronjve në dy mënyra dhe qëllime të ndryshme. Derisa Domanoviqi e ringjall Krajleviq Markon si kërkesë nëpër këngët e popullit për arsye nacionale, konkretisht për t’i shpëtuar serbët, siç thotë, prej dhunës së arnautëve, e kundërta e tij është ringjallja e Skënderbeut që ngjallet pas lutjeve të tre zyrtarëve politikë nga Dardania (Kosova), që ai të vijë në ndihmë në fushatën politike të Zgjedhjeve Nacionale të vitit 2001. Me fjalë të tjera, Krajleviq Marko ftohet jozyrtarisht, pra ai merr vendim sipas mendjes së vet, andaj edhe gjykatësi i thotë se sikur t’ishe thirrë zyrtarisht, me thirrje, kjo do të ishte punë tjetër,[7] kurse ardhja e Skënderbeut në këtë botë nga bota e përtejme ndodhi me ftesën e zyrtarëve partiakë të kohës. Edhe Qosja, edhe Domanoviqi përdorin fiksionin. Personazhet e Qosjes dhe të Domanoviqit janë personazhe historike, por që në tekst janë personazhe fiksionale, të cilat bëhen pjesë e ngjarjeve fiksionale, por në kohë dhe rrethana të vërteta historike.
Siç u theksua në fillim, raportet mes shqiptarëve dhe serbëve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të tensionuara. Si rezultat i kësaj është shprehur etnocentrizmi, si derivat i nacionalizmit të dhunshëm, që sjell gjykimin e shoqërive tjera duke u nisur nga supozimet ose njëanshmëritë e veta (të njërit popull) kulturore[8]. Nacionalizmi ka ndikuar në masë të madhe edhe në letërsi, madje edhe te këta dy autorë. Te tregimi i Domanoviqit kemi kryekëput nacionalizëm, ku Kosova përmendet nga fillimi deri në fund si një tokë e humbur, që duhet doemos të çlirohet. Ky nacionalizëm i Domanoviqit mund të shpjegohet nëse gjurmojmë në jetën e tij, ku do të shohim se ai ishte anëtar i Partisë Radikale të Serbisë, parti e njohur për qëndrimet ekstreme nacionaliste. Elementet e nacionalizmit vërehen edhe te Rexhep Qosja, i cili me vetëdije a pavetëdije përmend çështjen kufirit Dardani – Arbëri (lexo: Kosovë – Shqipëri), i cili, sipas tij, nuk duhet të jetë. Pikërisht çështja e kufijve është edhe bazamenti kryesor i nacionalizmit shqiptar. Qosja dhe Domanoviqi, përmes sjelljes së personazheve të tyre, paraqesin një realitet historik dhe social, atë nacionalizmit që ishte dhe vazhdon të jetë ndër barrët më të mëdha që ballkanasit nuk arrijnë ta largojnë nga vetvetja.
Siç u potencua më lart, në të dy tregimet kemi thumbim të politikës së kohës ku fshikullohen partitë politike konkretisht tubimet e tyre politike. Autorët do t’i përqeshin fjalimet e tyre, retorikën nacionaliste që, fatkeqësisht, po e përcjell Ballkanin edhe në ditët e sotme. Të dy përshkruajnë po të njëjtën gjendje të publikut që i përkrahin, një entuziazëm i madh, por pa e ditur se pikërisht ata janë viktimat të mashtrimit të politikanëve, partive a grupeve të caktuara. Para së gjithash, Qosja dhe Domanoviqi përpiqen që ta godasin rëndë edhe fenomenin e shfrytëzimit të figurave të mëdha historike për qëllime personale, atë të fitimit të pushtetit, apo edhe fitimit të lavdisë historike në krahë të njerëzve të tyre. Tregimet e Qosjes dhe Domanoviqit, para se të jenë fiksion, janë një realitet i gjithëmbarshëm ballkanas, ku politikanë dhe njerëz me prirje makiaveliste, për të cilët qëllimi e arsyeton mjetin, vazhdojnë të sundojnë, madje edhe të shkatërrojnë të shenjtën e një populli.
[1] Oliver Jens Schmit, Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike (përktheu: Enver Robelli), Koha, Prishtinë, 2012, f. 96.
[2] Rexhep Qosja, I ringjalluri i penduar, Om, Prishtinë, 2016, f. 20.
[3] Rexhep Qosja, I ringjalluri i penduar, Om, Prishtinë, 2016, f. 44.
[4] Rexhep Qosja, I ringjalluri i penduar, Om, Prishtinë, 2016, f. 74-75.
[5] Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960, f. 22.
[6] Rexhep Qosja, I ringjalluri i penduar, po aty f. 23-24.
[7] Radoje Domanoviq, Satirat, po aty f. 77.
[8] Gordon Marshal, Fjalor sociologjik, IDK, Tiranë (pa vit botimi), f. 91.
(Marrë nga numri 12 i revistës “Akademia”)