EHF-ja përgëzon FHK-në për përmbyllje të suksesshme të edicionit
Presidenti i Federatës Evropiane të Hendbollit, Michael Wiederer i ka dërguar letër Federatës së Hendbollit të Kosovës përmes të cilës ka përgëzuar FHK-në për përmbyllje të suksesshme të edicionit 2019\2020 të garave.
Fillimisht FHK-ja ka njoftuar EHF-në dhe IHF-në për përfundimin e edicionit pas rrethanave të reja të krijuara dhe për masat që janë marrë për të ruajtur shëndetin e pjesëmarrësve.
“Në emër të Federatës Evropiane të Hendbollit iu përgëzoj për procesin që qartë ishte i suksesshëm, në një situatë e cila ishte dhe vazhdon të jetë sfiduese për të gjithë”, ka shkruar presidenti Wiederer, ndër të tjera.
Sipas udhëheqësit të EHF-së, hapi i ardhshëm është përgatitja e edicionit tjetër të garave, për të sjellë sportin e hendbollit në rrugën e duhur.
Punën e bërë nga FHK-ja e kishte vlerësuar lartë edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
(V.Z / Epoka e re)