Ehhhh, Bac!
Merita Shasivar Makolli
Sipas kalendarit, sikur sot, një vit më parë, ende merrje pak nga fryma e kësaj bote, e ne të tjerët vazhdonim të vidhnim frymën tënde.
Të nesërmen kishe mbyll sytë, o GJIGAND!
Me motivin më egoist nxitova pa frymë me ta prek ballin, ma ta puth atë ballë që ende ishte i nxehtë. Shfrytëzova edhe një herë fatin me të pa nga afër.
Po qysh na le, o BAC?
Nuk ka mundësi të kesh shkuar e as të kesh vdekur.
Po si mund të vdes ADEM DEMAÇI, bre!
Më ka rastisur të dëgjoj një shkencëtar të thotë se edhe pas vdekjes shpirti ekziston, por ne nuk kemi kapacitete ta shohim.
Nuk kishim sy për të të parë edhe kur ishe i vizualizuar, e lëre më t’i kemi kur ekzistenca jote mori trajtë tjetër.
Kam dëgjuar dhe lexuar se Zoti i do njerëzit e vet qindra e mijëra herë më shumë sesa që e do nëna fëmijën e vet dhe se ne, përkundër asaj dashurie, nuk e duam dhe nuk dëgjojmë udhëzimin e tij.
Bac, më fal për këto fjalë dëshpërimi, por nuk jemi TI, prandaj edhe ankohemi, dorëzohemi, vuajmë dhe dergjemi të shtrirë…
Dështuam për t’u kapur për dorën tënde. Humbëm RASTIN E MADH!
(25 korrik 2019)