Ejupi: Nëse nuk miratohet Ligji par Sponsorizim do të ketë protesta
Klubi i futbollit FC Prishtina, vlerëson se është momenti i fundit që deputetët e Kuvendit të Kosovës t’i thërrasin mendjes dhe ditën e enjte të reflektojnë pozitivisht në miratimin e Ligjit për Korporata. Nga viti 2016 kur është nisur ky debat, është e habitshme dhe e çuditshme se si është neglizhuar deri tani.
FC Prishtina kërkon që ky Ligj për Korporata sa më shpejtë të harmonizohet me Ligjin për Sponsorizim që bihet ndesh apo kanë paqartësi ndërmjet vete. Klubi kryeqytetas ka ftuar grupet parlamentare të gjejnë konsensusin e duhur dhe mos të barrikadohen mbrapa politikave ditore dhe mos të provojnë të gjejnë justifikime të cilat nuk qëndrojnë. Në rast se ndodh mosmiratimi i këtij harmonizimi të Ligjeve e të cilat janë jetike për sportin, kulturën dhe rininë, atëherë sportistët, klubet dhe sidomos njerëzit që e mbajnë sportin, nuk do t’ju mbetët tjetër përveç të iniciojmë në protesta masive të punëtorëve sportiv, sportistët, familjarë të sportistëve, tifozë dhe të gjithë sportdashësve në vend. Gjithnjë sipas klubit të futbollit Prishtina është momenti i fundit që ligjbërësit ta kuptojnë se miratimi i këtij harmonizimi do të thotë largim i fëmijëve nga rruga, profesionalizëm dhe investime të reja në sport.
Të gjithë ata deputet që janë kundër, duhet të kenë parasysh që në kohët më të vështira, në paralelizmin nën okupim, sporti ka qëndruar duke zhvilluar gara në kushte më të vështira të mundshme e duke rezistuar e mos lëshuar vendin, siç ndoshta nuk ka ndodhur, fatkeqësisht, me shumë deputet. Vetëm pas luftës dhe deri me tani vetëm në futbollin e Kosovës janë shpenzuar mbi 50 milionë euro duke mos pasur asnjë lloj interesi për njerëzit të cilët kanë dhënë shuma të jashtëzakonshme duke e mbajtur futbollin, sportin e kulturën.
“Nuk dua të besoj s’e ka deputet që janë kundër sportit, besoj që nuk kanë pasur informata të mjaftueshme. Por, nëse ndodh që ka të tillë, atëherë ju premtoj që edhe ne do të gjejmë rrugë për reagim të ashpër prej protestave masive në rrugë e deri në ndalimin e përcjelljes nëpër ndeshje të këtyre deputetëve. Pa financim nuk mund të mbahet sporti. Imagjinojeni sikur vëllezërit Xhaka apo Shaqiri të qëndronin në Kosovë, se a do të arrinin kaq larg sa kanë arritur nëpërmjet shteteve perëndimore ku me ligje adekuate është rregulluar mbajta e sportit. Shpresoj shumë që të enjten të harmonizohen këto ligje jetike e që për model ka shtetin gjerman me 30% nga tatimi në fitim, që të hapen mundësitë e investimeve të shumta, sidomos në infrastrukturën sportive, aty ku është baza apo çerdhja e edukimit profesional sportiv”, ka thënë Remzi Ejupi, kryetar i FC Prishtina.