Ejupi: Sot vendoset e ardhmja e Mirel Josës
Remzi Ejupi për “Epokën e re” ka zbuluar se sot (e premte) do të ketë një takim me trajnerin Mirel Josa, ku edhe do të vendoset përfundimisht e ardhmja e trajnerit shqiptar.
FC Prishtina është eliminuar nga garat e Ligës së Evropës pas humbjes në ndeshjen kthyese nga Joseph’s (2-0). Fatura e eliminimit i është atribuuar trajnerit nga Shqipëria, Mirel Josa, nga tifozët “Plisat” dhe analistët e futbollit në Kosovë.
Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” e ka kontaktuar të enjten presidentin e klubit kryeqytetas, Remzi Ejupin, i cili bëri me dije se e ardhmja e trajnerit shqiptar do të vendoset sot (e premte). “Jam jashtë Kosovës, por do të rikthehem dhe të premten kam një takim me trajnerin. Në atë takim do të vendosim për të ardhmen, por një gjë mund të konfirmojë se Josa është shumë i mërzitur pas eliminimit dhe ka shfaqur dëshirën për t’u larguar”, ka thënë Ejupi, i cili më pas ka vlerësuar lart punën e trajnerit Josa gjatë kokës që është pjesë e Prishtinës, ani pse në dy sezonet që e drejtoi këtë skuadër nuk arriti ta fitojë titullin e kampionit, derisa suksesi i tij ishte triumfi në garën e Kupës në edicionin e kaluar.
“Ne duhet të kemi parasysh dhe jemi falënderues ndaj trajnerit për punën e madhe që ka bërë në skuadrën tonë”, ka shtuar Ejupi.
Trajneri Mirel Josa edhe përkundër përvojës së madhe në vazhdimësi është kritikuar për rezultatet që ka regjistruar me skuadrën “bardheklatër”, por edhe me mënyrën e lojës që Prishtina e ka aplikuar nën drejtimin e tij. Mirëpo kjo nuk i ka penguar dhe ai vazhdimisht e ka pasur mbështetjen nga drejtuesit e klubit, por eliminimi nga një skuadër siç është Joseph’s po del të jetë një problem i madh për strategun shqiptar, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar: Tiranën, Lushnjën, Skënderbeun, Vllazninë, Elbasanin, Teutën dhe Shkumbinin.
Kryetari i “Plisa”-ve, Albert Kastrati, ka hedhur dyshime se dy ndeshjet ndaj St Joseph’s kanë qenë të kurdisura nga Klubi i Prishtinës, mirëpo Remzi Ejupi ka thënë se është e turpshme të mendohet një gjë e tillë për faktin se Prishtina ka dhënë maksimumin për ta kaluar këtë kundërshtar. Ejupi e përmendi edhe rrugëtimin e gjashtë 20 orësh deri në Gjibraltar, por edhe shumën e të hollave që do të kishte fituar në rast kualifikimi në fazën tjetër. Në anën tjetër, edhe përkundër faktit se ende nuk është vendosur përfundimisht e ardhmja e Mirel Joses, kanë filluar të qarkullojnë zëra në lidhje me trajnerin e ri. Fillimisht është përmendur Afrim Tovërlani, kurse më pas edhe ish-përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki dhe Gani Sejdiu e Bylbyl Sokoli.
/Veton ZYMBERI/