Ekipet skitare të Kosovës, financohen nga prindërit e fëmijëve
Shumica e klubeve të sportit të skijimit në Kosovë, po mbijetojnë nga prindërit, të cilët japin nga vetja për të mos shuar klubet.
Financiarisht ato janë shumë të dobëta dhe ndonjëherë detyrohen të futen edhe në borxhe, në mënyrë që të mbijetojnë. Kështu ka deklaruar për ‘Sportin në KTV’, kryetari i Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi.
Kryetarët e trajnerët e klubeve ndër më të fortat në Kosovë në skitari, shprehen të dëshpëruar nga ndihma që komuna u jep atyre, pasi fondet e ndara për ta nuk janë të bollshme.
Klub me përmasa të mëdha me rreth 50 skitarë është Prishtina. E kryetari i “kryeqytetasve”, Milot Vokshi, thotë se fondi më i madh i financave vjen nga prindërit. Klubi Alpi nga Peja, që numëron rreth 47 skitarë, 21 prej tyre femra, po e përjeton aktualisht këtë krizë. Këtë e thotë edhe trajneri i këtij ekipi dhe selektori i Kosovës, Agim Pupovci.
Në kërkim të sponsorëve është edhe klubi Arxhena, e këtë e thotë vetë trajneri Elmedin Haruni, trajner i shtatë skitarëve sa janë gjithsej në këtë ekip. “I kam shtatë garues në ekipin tim. Jemi të përgatitur maksimalisht. Vetë financohemi, dhe kërkojmë sponsor në mënyrë që të na ndihmojnë në pjesëmarrjen tonë në garat e Federatës së Skitarisë”, ka thënë ai.
Pavarësisht vështirësive, kryetarët e trajnerët e klubeve skitare që funksionojnë në vendin tonë, thonë se talenti te gjeneratat e reja nuk mungon.