Ekipi i Kosovës bllokohet në Aeroportin e Valencias pas përmbytjeve të mëdha në qytetin spanjoll

30 tetor 2024 | 13:49

Ekipi që e përfaqësoi Kosovën në garën e njohur “Fia Motorsport Games” në Valencia, gjatë fundjavës, është bllokuar në aeroportin e këtij qytetit spanjoll pas përmbytjeve që kanë ndodhur së fundmi.

Një grup prej 29 personash janë duke qëndruar në këtë aeroport qysh prej të martës në mbrëmje, në pamundësi për të fluturuar nga Valencia për në Tiranë.

Në aeroportin e Valencias janë anuluar të gjitha fluturimet pasi shirat e rrëmbyeshëm bllokuan edhe pistën, ndërsa deri të shtunën thuhet se nuk ka asnjë gjasë të ketë fluturime.

Anëtari i Federatës së Autosporteve të Kosovës (FASK), Liman Gashi, ka konfirmuar për Telegrafin një gjë të tillë, por ka shtuar se nuk ka vend për panik.

“Kemi ardhur dje në aeroport rreth orës 16:30, pasi që fluturimin e kemi pasur nga ora 19:50. Por, fluturimi nuk është realizuar. Na thanë që shtyhet për në orën 12:00, por as atëherë nuk pati fluturim. Sot është mbyllur komplet aeroporti. Fluturimi ishte i paraparë të realizohej nga Valencia në Tiranë”,

“Tash na duhet ta lëshojmë aeroportin dhe të gjejmë diku tjetër strehim, derisa të bëjmë zgjidhje alternative për t’u kthyer në Kosovë, nga Barcelona apo Madridi, apo të shohim prej nga. Por, nuk ka vend për panik”, ka thënë Gashi, i cili gjendet në Valencia bashkë me ekipin kosovar.

Ndryshe, pas përmbytjeve të shpejta në Spanjën juglindore, thuhet se tashmë ka shkuar numri mbi 50 të vdekur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo ka thyer heshtjen pasi humbi një penallti në…