Ekipi i ‘REL’-it sulmohet në Zubin Potok
Ekipi i “Radios Evropa e Lirë (REL)” është sulmuar në Zubin Potok, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.
Pas përfundimit të protestës së serbëve në këtë komunë pak pas orës 15:00, “REL”-i ka raportuar se vetura me të cilën po udhëtonte ekipi është sulmuar me një mjet shpërthyes nga banorët lokalë.
Pavarësisht se nuk dihet se me çfarë mjeti është sulmuar vetura, gazetarët thanë se shpërthimi ishte i fuqishëm.
Nga ky sulm, që ndodhi teksa vetura ishte në lëvizje, asnjëri nga pjesëtarët e ekipit të “REL”-it nuk ka pësuar lëndime.
Ekipet e gazetarëve të mediumeve të ndryshme, që kanë raportuar nga veriu i Kosovës lidhur me protestat e banorëve lokalë, kanë qenë cak i disa sulmeve më 30 maj, ka raportuar gjatë ditës Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.