Ekipi i xhudos, i gatshëm për lojërat evropiane “Minsk 2019”
Ka shkuar në tetë numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në lojërat e dyta evropiane ‘Minsk 2019’ që mbahen prej 21 deri më 30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë. Organizatori i LE ‘Minsk 2019’ i ka konfirmuar Komitetit Olimpik të Kosovës pjesëmarrjen e pesë xhudistëve tanë, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka, të cilët janë kualifikuar me normë. Distria është bartësja e dytë në kategorinë deri 48 kilogramë, Majlinda është e katërta (-52 kg), Nora e para (-57 kg), Akili i katërti (-73 kg), ndërsa Loriana e teta (-78 kg). Distria Krasniqi u shpreh se ata janë vazhdimisht duke ushtruar dhe duke u përgatitur për këto lojëra, ku do të synojnë të kthehen me medalje, raporton “KosovaPress”. “Ne si ekip jemi duke u përgatitur shumë për këto lojëra evropiane, që ta përfaqësojmë Kosovën sa më mirë dhe të kthehemi me sa më shumë medalje. Në këtë garë synimi im është që të kthehemi me medalje, por synimi kryesor të kthehem me medaljen e artë. Normalisht, çelësi i krejt këtij suksesi është puna të cilën ne e bëjmë si ekip, por edhe puna e trajnerit tonë. Së fundi kam pasur shumë suksese pasi që e kam ndërruar kategorinë dhe jam numër 1 në ranglistën olimpike për të shkuar në Tokyo, në Lojërat Olimpike. Pra, gjithçka është duke shkuar mirë. Shpresoj vetëm të mos kem lëndime”, u shpreh Krasniqi.
Kjo do të jetë hera e parë për xhudisten Loriana Kuka që do të marrë pjesë në lojërat evropiane. Ajo shpreson që nga kjo garë të rikthehet me medalje. “Përgatitjet po shkojnë mirë. Është hera e parë që do të marr pjesë në lojëra evropiane. Shpresoj t’i tregoj aftësitë e mia. Për secilin prej neve që do të marrë pjesë, synimi është të marrë një medalje, e arta normalisht se është më e mira, por për secilin nuk ka lidhje se çfarë. Në çdo pjesëmarrje, në çdo garë është njëjtë për mua, a është këtu në Kosovë apo jashtë Kosovës, kështu që nuk besoj që do të ketë problem me lëndime”, ka deklaruar Driton Kuka.
Ndërsa xhudistja tjetër, Nora Gjakova, shprehet tejet e kënaqur me ecurinë e përgatitjeve që janë duke i bërë, duke theksuar se Driton Kuka është personi që është duke e kryer punën më të madhe. “Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jemi kthyer javën e kaluar prej përgatitjeve në Romë dhe kur jemi kthyer këtu, kemi pasur mysafirë nga Turqia, Mali i zi, Bosnja. Kur po kemi kështu mysafirë prej shteteve të tjera, po na ndihmojnë shumë, sidomos për sparing, që është i domosdoshëm në këtë fazë që jemi tani para lojërave evropiane. Unë para katër vjetëve kam qenë medalistja e vetme në Lojëra Evropiane, e kam fituar medaljen e bronztë. Shpresoj që këtë vit të jem pjesë e podiumit. Normalisht qëllimi im kryesor do të jetë medalja e artë, por nëpër gara të tilla çdo medalje e ka vlerën e madhe”, ka thëne Gjakova.
Momentalisht ekipi i xhudos i udhëhequr nga Driton Kuka gjendet në Paris, ku ka vazhduar fazën tjetër përgatitore për këto lojëra evropiane. Kujtojmë se pikërisht në xhudo Kosova numëron një medalje të bronztë të fituar nga xhudistja Nora Gjakova, në debutimin e ekipit tonë në Baku 2015.