Ekipi i mjekëve nga Australia dhe Kosova po operojnë 27 fëmijë
Nga data 30 qershor deri më 7 korrik në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është duke qëndruar një ekip i mjekëve nga Australia.
Në vazhdën e vizitës së radhës nga profesorët nga Australia dhe ekipi i mjekëve nga Kirurgjia e Fëmijëve, në udhëheqjen e prof. dr. Nexhmi Hysenit, janë bërë 49 vizita të fëmijëve me anomali kongjenitale shumë të komplikuara.
Pas vizitave mjekësore, janë përzgjedhur për intervenim kirurgjik 7 fëmijë, deri tani janë kryer 13 operacione komplekse, përderisa deri të premten pritet të kryhen edhe 14 operacione.
Ekipi i mjekëve po punon gjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të natës, në mënyrë që të gjithë fëmijët që kanë nevojë për operacion të kenë mundësi të marrin këtë shërbim.
“Duke iu falënderuar prof. Pady Dewanit dhe ekipit vendor, organizatës ‘Kind Cuts for Kids’ dhe Komunitetit Shqiptar në Melburn të Australisë, është shpëtuar buxheti i dedikuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore në vlerë 530 000 euro”, është bërë me dije në komunikatën e QKUK-së.
Bashkëpunimi i ngushtë i këtij lloji me profesorë nga Australia ka nisur nga viti 2010 dhe ka dhënë rezultate të shkëlqyeshme post-operative duke pasur një rëndësi të madhe edhe në edukimin profesionalë të vazhdueshëm të mjekëve.
/Epoka e re/