Ekipi negociator nuk e ka mbështetjen e shumicës shqiptare

08 janar 2019 | 16:05

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Besnik Bislimi, ka thënë të hënën se sondazhi i fundit që ka nxjerrë Vetëvendosjen partinë e dytë në Kosovë prezanton situatën në terren.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se Vetëvendosja në vazhdimësi po konsolidohet dhe po fuqizohet.

“Ky fuqizim manifestohet si në shtimin rekord të numrit të anëtarëve tanë, po ashtu edhe në rritjen e pikave të reja të themeluara anekënd Kosovës. Nga ky këndvështrim, mbase një kontribut kyç u takon edhe atyre që kanë vendosur të dalin nga Lëvizja në fillimin e vitit 2018”, ka deklaruar Bislimi.

Duke folur për dialogun me Serbinë ai ka thënë se vetëm Vetëvendosja ia atribuon seriozitetin që e meriton faza finale e këtij procesi.

“Kjo është arsyeja pse në insistojmë që në këtë proces të hyjmë të mirëpërgatitur dhe politikisht të fuqishëm. Kusht për një proces nga i cili nuk do të dilte një kompromis i dhimbshëm, për të cilin na flasin Qeveria dhe presidenti, janë hapat që kemi përsëritur ditë për ditë sa herë që na është dhënë mundësia”, është shprehur Bislimi, duke shtuar se falë angazhimit të Vetëvendosjes dhe mbështetjes qytetare dialogu me Serbinë është ndërprerë dhe presidentit Thaçi i është pamundësuar vazhdimi i aventurës.

Mirëpo, sipas tij, iniciativa e PSD-së e ka rikthyer sërish në skenë Thaçin, duke i ofruar atij perceptimin e një mbështetje të gjerë nga Kuvendi.

Megjithatë, Bislimi ka deklaruar se kjo farsë nuk do të ‘dhezë’ meqë, sipas tij, shumica shqiptare nuk e mbështet presidentin dhe ekipin negociator në çfarëdo vendimi që ata do të guxojnë të marrin.

Nënkryetari i Vetëvendosjes ka paralajmëruar shtim të bashkëpunimit opozitar Vetëvendosje – LDK.

 “Epoka e re”: Z. Bislimi, të dielën keni prezantuar rezultatet e një ankete, sipas së cilës, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin tani, Lëvizja Vetëvendosje do të merrte 22.6 për qind të votave, kurse lideri Albin Kurti është kandidati më i preferuar i qytetarëve për kryeministër. Me këtë sondazh nuk janë pajtuar subjektet e tjera politike.
Bislimi: Sondazhi nuk është fontanë dëshirash me të cilën pajtohesh ose jo. Sondazhi prezanton situatën në terren. Krejt çfarë u mbetet subjekteve të tjera është ta kontestojnë metodologjinë e përdorur, por këtë nuk e ka bërë askush meqë secili subjekt e di që në Kosovë nuk ka asnjë institut më profesional se ‘UBO Consulting’ kur bëhet fjalë për sondazhe të tilla. Ta mohosh realitetin nuk është karakteristikë e individëve racionalë.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej këtij sondazhi, cila është gjendja reale në terren e Lëvizjes Vetëvendosje? Ka arritur të konsolidohet pas ndarjes dhe largimit të 13 deputetëve?
Bislimi: Lëvizja Vetëvendosje në sondazhet e organizuara para zgjedhjeve të qershorit 2017 ka pasur më pak se ajo që prezantuam dje. Por, tri elemente janë me peshë: Lëvizja rritet shumë gjatë muajit të fushatës zgjedhore falë kristalizimit të pozicioneve tona qoftë nëpër prezantime publike, qoftë nëpër debate televizive; Lëvizja fuqizohet si reflektim i reagimit të qytetarëve ndaj koalicioneve joparimore që arrihen zakonisht në minutat e fundit mes subjekteve që kanë interes zhvatjen e publikes; dhe Lëvizja merr mbështetje shumë të fuqishme nga diaspora, votat e së cilës nuk pasqyrohen nëpër këto sondazhe të brendshme. Në fund të vitit 2018 kemi prezantuar edhe të dhënat që flasin me precizitet për konsolidimin dhe fuqizimin e Lëvizjes në terren, fuqizim ky që manifestohet si në shtimin rekord të numrit të anëtarëve tanë, po ashtu edhe në rritjen e pikave të reja të themeluara anekënd Kosovës. Nga ky këndvështrim, mbase një kontribut kyç u takon edhe atyre që kanë vendosur të dalin nga Lëvizja në fillimin e vitit 2018.

“Epoka e re”: Z. Bislimi, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës, përkatësisht vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi?
Bislimi: Dialogu me Serbinë nuk ka vazhduar falë zhveshjesh komplete që i kemi bërë ne partitë opozitare aventurës së presidentit Thaçi dhe falë sinjalit të fuqishëm që populli i ka dërguar klasës së korruptuar politike në protestën e 29 shtatorit. Përmes demaskimit komplet të synimeve shumë të dëmshme të sponsorizuara nga Beogradi e Moska, përmes presidentit tonë, ne kemi arritur që Thaçi të mbetet krejtësisht i izoluar, i paaftë për ta vazhduar aventurën e tij dhe komplet i devalvuar në rrafshin ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Çështja e dialogut tashmë është kthyer në Kuvend dhe është krijuar një ekip negociator, pjesë e të cilit është edhe një parti opozitare, PSD-ja. A do të mund ky ekip ta përfundojë me sukses fazën finale të dialogut me Serbinë?
Bislimi: Së pari është logjikë e gabuar që PSD-ja të radhitet si subjekt politik opozitar. Madje me një kualifikim të tillë nuk do të pajtoheshin as vetë eksponentët e PSD-së. Madje një prej tyre publikisht ka deklaruar me mburrje që falë vizionit të tyre kanë shtyrë përpara edhe çështje që opozita nuk ka arritur të bëjë, duke aluduar në subjektet e tjera opozitare. Por është e saktë se ka qenë iniciativa e PSD-së që e ka rikthyer sërish në skenë Thaçin duke i ofruar atij perceptimin e një mbështetje të gjerë nga Kuvendi. Është krejt e natyrshme që kjo farsë nuk do ‘dhezë’ meqë është shumë e qartë që shumica shqiptare nuk e mbështet këtë president, as këtë ekip negociator në çfarëdo vendimi që ata do të guxojnë të marrin. Duhet të konstatojmë edhe një gjë, vetë iniciativa e PSD-së ka synuar një ekip negociator ku nuk figuron as LDK-ja e as LV-ja meqë në një konstelacion të tillë ata do të zhvendoseshin në periferi të zhvillimeve. Një muaj para se ta sjellin në Kuvend propozimin e tyre rreth ekipit negociator, kryesia e PSD-së ka votuar për Shpend Ahmetin si bashkëkryesues i ekipit, votim që do të ishte i palogjikshëm sikur ata të kishin shpresuar sadopak që LDK-ja dhe/apo LV-ja do të vendosnin t’i bashkëngjiteshin kësaj ideje.

“Epoka e re”: Pse Lëvizja Vetëvendosje është kundër procesit të dialogut dhe kundër përfshirjes në këtë ekip?
Bislimi: Ky është interpretim thelbësisht i gabueshëm i pozicionit të Lëvizjes Vetëvendosje në raport me dialogun. Në fakt, mund të thuhet se vetëm LV-ja ia atribuon fazës finale të dialogut nivelin e seriozitetit që e meriton. Kjo edhe është arsyeja pse insistojmë që në këtë proces të hyjmë të përgatitur mirë dhe politikisht të fuqishëm. Kusht për një proces nga i cili nuk do të dilte një kompromis i dhimbshëm, për të cilin na flasin Qeveria dhe presidenti, janë hapat që kemi përsëritur ditë për ditë sa herë që na është dhënë mundësia. Nuk ka sens politik që të emërohet ekipi negociator, e sidomos jo të publikohet pozicioni yt fillestar i prezantuar si draft marrëveshje finale pa bërë një rivlerësim të fazave të deritanishme të dialogut dhe pa definuar qartë listën e kërkesave dhe pritjeve tona nga dialogu. E sidomos nuk ka sens politik të dërgojmë në negociata individë e subjekte pa testuar peshën e tyre politike, apo individë që përfaqësojnë negacionin e unitetit të brendshëm.

 “Epoka e re”: Duke pasur parasysh se as LV-ja e as LDK-ja nuk do të jenë pjesë e këtij procesi, a do të ketë shtim të bashkëpunimit në mes të këtyre dy partive qoftë sa i përket dialogut, qoftë edhe për çështje të tjera?
Bislimi: Bashkëpunimi opozitar është më se i natyrshëm, sidomos në një ambient politik si ky që kemi në Kosovë, ku skandali politik është norma e politikbërjes nga ana e Qeverisë dhe presidencës, dhe ku shkurtimi i jetës së Qeverisë është imperativ dhe interes primar i secilit qytetar. Natyrisht se ka hapësirë dhe domosdoshmëri edhe për më shumë forcim, por zakonisht përafrimet e tilla nuk janë të lehta dhe kërkojnë pak më shumë kohë.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester Unitedi ka shfaqur interesim për transferimin e yllit të…