Ekipi negociator nuk e përfaqëson opozitën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka bërë me dije se ekipi negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë nuk e përfaqëson opozitën e as Kuvendin.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky mekanizëm është një lëmsh që e ka komplikuar politikën e jashtme të Kosovës.
Sipas tij, PSD-ja është një subjekt politik jolegjitim dhe, si e tillë, nuk mund të flasë në emër të opozitës.
“As nuk është delegacion i Kuvendit, as i Qeverisë, por i përzier me kryetarë komune, përfaqësues të shumtë të një ‘grupi’ apo një subjekti politik jolegjitim në Kuvend – PSD-së, që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet parlamentare e, për më keq, ‘flet’ në emër të opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile, të personave brenda Qeverisë pa deputetë, apo në rastin më të mirë të përfaqësuar me një deputet. Ky ekip negociator i bërë ‘lëmsh thiu’ mund të përfaqësojë çdo gjë tjetër, vetëm Kuvendin nuk përfaqëson. Opozitën gjithsesi jo”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi ka thënë se vendin këtij delegacioni në bisedime me Serbinë ia ka treguar shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)