Ekipi negociator nuk e përfaqëson opozitën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kritikuar ekipin negociatar për bisedime me Serbinë të miratuar në Kuvend javën e kaluar. Ai ka thënë se ky mekanizëm nuk e përfaqëson as Kuvendin dhe as opozitën.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kurteshi ka thënë se ai është një lëmsh. “As nuk është delegacion i Kuvendit, as i Qeverisë, por i përzier me kryetarë komune, përfaqësues të shumtë të një ‘grupi’ apo një subjekti politik jolegjitim në Kuvend – PSD-së, që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet parlamentare e, për më keq, ‘flet’ në emër të opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile, të personave brenda Qeverisë pa deputetë, apo në rastin më të mirë të përfaqësuar me një deputet. Ky ekip negociator i bërë ‘lëmsh thiu’ mund të përfaqësojë çdo gjë tjetër, vetëm Kuvendin nuk përfaqëson. Opozitën gjithsesi jo”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, vendin këtij delegacioni në procesin e dialogut ia ka treguar shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. “Tanimë vendin dhe pozitën e këtij ‘delegacioni shtetëror’, fatkeqësisht e ka paracaktuar komisionarja e KE-së, Mogherini, në letrën drejtuar kryeministrit Haradinaj. Shkurt e shqip thënë, nëse e përkthejmë në shqipen popullore, Mogherini ‘delegacionin shtetëror’ të votuar më 15 dhjetor 2018 e quan bisht të Hashim Thaçit. Këtë e dëshmon vetë koha e votimit, ditës së votimit, të cilën, shikuar nga perspektiva e sotme, e kishte preferuar vetë Thaçi”, është shprehur ai.
Kurteshi e ka komentuar edhe letrën e presidentit amerikan Donalt Trump për presidentin Hashim Thaçi. Ky i fundit, sipas tij, e ka keqpërdorur këtë letër për interesa personale. “Pikërisht kjo letër sqaron mashtrimin, preferencën e Hashim Thaçit për kohën e votimit të rezolutës dhe ekipit negociator për dialogun me Serbinë. Përndryshe, edhe një kërkesë fisnike të administratës amerikane për paqe në raportet Kosovë – Serbi, 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Hashim Thaçi e ka konsumuar për shou medial e politik, me faktin e fshehjes, gjegjësisht nxjerrjes së saj në momentin e caktuar, disa ditë më vonë”, ka thënë Kurteshi.
“Epoka e re”: Kuvendi tashmë ka miratuar rezolutën për dialogun me Serbinë. Cili është komenti juaj për këtë dokument?
Kurteshi: Miratimi i kësaj rezolute tanimë është një fakt i kryer. Kjo rezolutë është votuar nga pozita, me 59 vota për dhe 2 vota kundër apo abstenime, nuk jam krejt i sigurt tani. Bashkë me këtë dokument është votuar edhe një ekip për dialogun, të cilin e kanë emërtuar si ‘delegacion shtetëror’ për dialogun. Me këtë është kompletuar kakofonia kosovare në politikën e jashtme, me theks të veçantë në ‘dialogun me Serbinë’. Politikë të jashtme bëjnë Pacolli, Thaçi, Haradinaj, Veseli e tani edhe Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, pa i numëruar këtu edhe të tjerët. Një lëmsh i bërë ‘lëmsh’, i cili mund të zgjidhet vetëm me zgjedhje të reja dhe kthim i politikës së jashtme në binarët institucionalë. Dokumenti i rezolutës së miratuar thuhet se duhet të përcillet apo pasohet edhe nga një ligj. Pra, ligj për çka? Dialogun!? Pra, nuk mjafton rezoluta e mbështetur në Kushtetutë, por duhet edhe një ligj për dialogun! Sigurisht më vonë do të kërkohet edhe ndonjë dokument shtesë, sepse këto të gjitha nuk do të mjaftojnë, ngaqë do të shohim se ky ishte një manipulim i radhës i pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Hashim Thaçit, i cili karrierën e ka ndërtuar me shkelje dhe mashtrime.
“Epoka e re”: Me këtë rezolutë është votuar edhe ekipi negociator, i cili do të bashkëkryesohet nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj. A mund ta përfaqësojë Kosovën ky delegacion në këtë proces?
Kurteshi: Tanimë vendin dhe pozitën e këtij ‘delegacioni shtetëror’ e ka paracaktuar komisionarja e KE-së, Mogherini, në letrën drejtuar kryeministrit Haradinaj. Shkurt e shqip thënë, nëse e përkthejmë në shqipen popullore, Mogherini ‘delegacionin shtetëror’ të votuar më 15 dhjetor 2018 e quan bisht të Hashim Thaçit. Këtë e dëshmon vetë koha e votimit, ditës së votimit, të cilën, shikuar nga perspektiva e sotme, e kishte preferuar vetë Thaçi. Përndryshe, ky ekip negociator është një lëmsh sikurse edhe vetë politika e jashtme e Kosovës, një kakofoni institucionale e radhës par exellence. As nuk është delegacion i Kuvendit, as i Qeverisë, i përzier me kryetarë komune, përfaqësues të shumtë të një ‘grupimi’ apo një subjekti politik jolegjitim në Kuvend – PSD-së, që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet parlamentare e, për më keq, ‘flet’ në emër të opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile, të personave brenda Qeverisë pa deputetë, apo në rastin më të mirë të përfaqësuar me një deputet. Ky ekip negociator i bërë ‘lëmsh thiu’ mund të përfaqësojë çdo gjë tjetër, vetëm Kuvendin nuk përfaqëson. Opozitën gjithsesi jo.
“Epoka e re”: Pse Lëvizja Vetëvendosje nuk do të bëhet pjesë e dialogut dhe delegacionit shtetëror negocues?
Kurteshi: Lëvizja Vetëvendosje bëhet pjesë vetëm e veprimeve të cilat Kosovës i sjellin përparim, mirëqenie, siguri, prodhim vendor, arsim, shëndetësi, drejtësi dhe ekonomi të mirë. Por Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk bëhet pjesë e veprimeve që cenojnë e rrezikojnë shtetësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër presidenti Thaçi, në të cilën kërkon nga spektri politik vendor të jetë unik për marrëveshjen historike me Serbinë. Si duhet të trajtohet mesazhi i kësaj letre nga partitë politike?
Kurteshi: Kjo letër sqaron mashtrimin, preferencën e Hashim Thaçit për kohën e votimit të rezolutës dhe ekipit negociator për dialogun me Serbinë. Përndryshe, edhe një kërkesë fisnike të administratës amerikane për paqe në raportet Kosovë – Serbi, 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Hashim Thaçi e ka konsumuar për shou medial e politik, me faktin e fshehjes, gjegjësisht nxjerrjes së saj në momentin e caktuar, disa ditë më vonë. Ky njeri gjithçka e sheh nga dioptria e një shou medial e politik për përfitime personale, gjithnjë duke e ndjerë ftohtësinë e ‘shpatës së Demokleut’, Gjykatës Speciale, në gropëzën e qafës prej gënjeshtari dhe mashtruesi kronik, të cilën praktikisht e ka shtyrë përpara kundër ‘shokëve’ të vet të luftës. Populli thotë, ‘kush i bën gropën tjetrit, bie vetë në të!’
“Epoka e re”: Në çfarë mënyre do ta kundërshtojë LV-ja këtë fazë të dialogut me Serbinë?
Kurteshi: Në mënyrë të vendosur, parimore, pa kompromise të kalbura, sikurse ka bërë gjithmonë deri më tani. LVV-ja ndërmerr veprime vetëm pasi t’i ketë analizuar mirë e mirë, duke i peshuar në peshoren e interesit të përgjithshëm dhe në etikën politike.
Muhamet KOCI