Ekipi negociator s’mund t’i sjellë Kosovës marrëveshje të dobishme
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka vlerësuar se ekipi negociator për dialogun me Serbinë nuk ka legjitimitet dhe mbështetje qytetare.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky ekip nuk ka kapacitet për t’i sjellë Kosovës marrëveshje të dobishme.
Tahiri ka theksuar se partitë aktuale nuk kanë mandat dhe legjitimitet demokratik për ta përfunduar me sukses procesin e dialogut.
Ai ka thënë se për t’u arritur një zë unik karshi dialogut siç po kërkon ShBA-ja, partitë politike duhet të kthehen te sovrani për ta marrë mbështetjen e qytetarëve.
Tahiri ka theksuar se pa LDK-në nuk mund të merren vendime të mëdha për Kosovën
“Epoka e re”: Z. Tahiri, me çfarë bilanci po e përmbyll këtë vit Komuna e Vushtrrisë?
Tahiri: Vlerësoj se ka qenë një vit i mirë për qytetin e Vushtrrisë, me lajme të rëndësishme sa i përket zhvillimit ekonomik, por edhe me një investim të shtuar në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë. Ajo që ka karakterizuar qytetin e Vushtrrisë është bashkimi i qytetarëve dhe i partive politike në kuvendin komunal për një ndryshim cilësor. Kemi ofruar një shembull të qeverisjes ndryshe, një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse ashtu siç kemi premtuar. Jemi vlerësuar komuna me prokurimin më të mirë nga USAID-i dhe kjo është e arritur shumë e madhe për administratën e Vushtrrisë. Kemi ndërtuar një administratë profesionale dhe tanimë shërbimet ofrohen në nivelin më të lartë. Kemi bërë reforma substanciale në shëndetësi dhe qytetarët janë duke e vërejtur ndryshimin që po ndodh. Edhe në arsim kemi bërë forma të rëndësishme duke ndërtuar katërmbëdhjetë kënde për lexim për herë të parë nëpër shkollat e Vushtrrisë. Gjithashtu, kemi investuar në renovimin dhe ndërtimin e shkollave të reja. Vitin e ardhshëm do ta kemi çerdhen e re dhe shkollën e muzikës.
“Epoka e re”: Cilat do të jenë prioritetet e komunës në vitin e ardhshëm?
Tahiri: Do të fokusohemi në projektimin e stacionit të autobusëve, tregut për prodhuesit vendorë dhe zonës ekonomike. Janë tri projekte të mëdha kapitale krahas projekteve në infrastrukturë që do të realizohen brenda qytetit të Vushtrrisë me qëllim që të kemi përmirësim të jetës së qytetarëve. Vitin e ardhshëm do ta fillojmë zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kyçjen e fshatrave në ujësjellës. Ky projekt do të realizohet qoftë me fonde nga qeveria, qoftë me fonde vetjake të komunës.
“Epoka e re”: Të dielën LDK-ja ka shënuar 29-vjetorin e saj. Si e komentoni këtë rrugëtim?
Tahiri: LDK-ja është një nga partitë modele jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon për forcën shtetformuese dhe për forcën transformuese për shoqërinë e Kosovës. LDK-ja ka artikuluar më së miri kërkesën e shqiptarëve të Kosovës dhe të kombit shqiptar për liri, pavarësi dhe demokraci. Kjo është forca shtetformuese dhe transformuese që ka karakterizuar LDK-në në këto vite. Janë 29 vjet të përpjekjes për një jetë më të mirë të qytetarëve. Kjo veprimtari pozitive e LDK-së i ka dhënë imazh Kosovës si dhe e ka orientuar popullin drejt vlerave perëndimore në çastet kyçe të historisë së vendit.
“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me rolin opozitar të LDK-së gjatë këtij mandati?
Tahiri: LDK-ja është partia më e madhe në Kuvend. Është partia më e madhe që udhëheq komunat. Megjithatë, LDK-ja është në opozitë, por ka luajtur rol konstruktiv dhe korrektues ndaj veprimeve të qeverisë. Nuk mund të merren vendime të mëdha për Kosovën pa LDK-në. Procesi i dialogut ka sjellë më shumë dëm sesa dobi për faktin se partitë që vazhdojnë të jenë në dialog nuk e kanë mbështetjen qytetare. Ata mund të kenë numra në Kuvend, por jo edhe legjitimitetin qytetar, prandaj nuk mund ta përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve në këtë proces. Për të pasur sukses dialogu dhe për t’u arritur marrëveshja përfundimtare partitë politike duhet të kthehen te sovrani për të kërkuar mandat nga populli, tek pastaj duhet ta vazhdojmë rrugëtimin drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Epoka e re”: LDK-ja në vazhdimësi deri më tani ka pasur një qasje konstruktive kur kanë qenë në pyetje interesat e shtetit dhe proceset e mëdha, por një gjë e tillë nuk po ndodh edhe tani me procesin e dialogut. Pse LDK-ja vendosi të rrijë anash dialogut?
Tahiri: LDK-ja e ka përkrahur dhe e përkrah dialogun i cili zhvillohet nga institucionet legjitime, nga institucionet që kanë mandat nga populli për ta zhvilluar këtë proces. Institucionet aktualisht dhe partitë aktuale nuk e kanë mandatin dhe legjitimitetin demokratik për ta përfunduar me sukses procesin e dialogut. Prandaj LDK-ja kërkon që të kthehemi te sovrani në zgjedhje dhe të rimandatohet një shumicë e re parlamentare e cila do ta përfundojë dialogun me Serbinë. LDK-ja në vazhdimësi ka qenë vendimtare në secilin proces dhe do të vazhdojë të jetë e tillë në proceset e rëndësishme për Republikën e Kosovës.
“Epoka e re”: Ka kohë të mjaftueshme për të shkuar në zgjedhje dhe për ta marrë legjitimitetin duke pasur parasysh thirrjet e aleatëve, në veçanti të ShBA-së, që Kosova të krijojë një zë unik karshi dialogut?
Tahiri: Vetëm Serbia ka presion të përmbyllet sa më shpejt procesi dhe të arrihet marrëveshja. Kosova nuk ka asnjë presion. Neve nuk po na pret asnjë proces i rëndësishëm për ta përmbyllur dialogun siç po e pret, për shembull, Serbinë mbyllja e kapitullit të 25 të MSA-së. ShBA-ja e ka përkrahur dhe jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të saj. Është pikërisht LDK-ja dhe presidenti Rugova që ka ndërtuar këtë miqësi të përhershme me Amerikën dhe duhet ta ruajmë këtë si miqësitë më të rëndësishme dhe si aleancat absolutisht më jetike. Por ShBA-ja nuk ka thënë se duhet të arrihet marrëveshja në çdo formë, mirëpo ka kërkuar që marrëveshja të arrihet dhe të jetë e qëndrueshme.
“Epoka e re”: Si e keni parë letrën e presidentit amerikan dërguar presidentit të Kosovës?
Tahiri: Qëndrimi amerikan është konsistent dhe ky qëndrim është shprehur qysh nga koha e presidentit tashmë të ndjerë, George Bush. Duhet ta avancojmë partneritetin strategjik me ShBA-në sepse është partneritet i sinqertë në mes të dy popujve. Letra e presidentit amerikan pa diskutim se është një mbështetje për Kosovën dhe për procesin final të Kosovës e jo për individët. Por, që Kosova të ketë sukses, duhet të ketë njerëz legjitimë në krye të procesit. Një parti politike e cila i ka 2-3 për qind mbështetje dhe që është krijuar në Kuvend nuk mund ta përfaqësojë opozitën në dialog.
“Epoka e re”: Pas kërkesave të ndërkombëtarëve është krijuar njëfarë përshtypje se gjatë rrugëtimit LDK-ja do të bëhet pjesë e këtij procesi. Mund të ndodhë një gjë e tillë apo përfundimisht LDK-ja do të jetë anash dialogut?
Tahiri: Ata që mendojnë kështu duan që të vendosin presion mbi LDK-në duke aluduar se kjo parti ndërron qëndrime. LDK-ja është shprehur qartë dhe është e vetmja që ka një platformë për dialogun. LDK-ja është krenare që së bashku me presidentin Rugova 29 vjet më parë e ka orientuar popullin e Kosovës drejt vlerave euroatlantike. Miqësia e LDK-së me Amerikën është duke vazhduar për gati tri dekada dhe kjo miqësi nuk do të prishet për asnjë çmim dhe rrethanë. Në këta 29 vjet qëndrimet e LDK-së gjithmonë kanë qenë për interesat e Kosovës dhe popullit të saj. Nuk do të ndodhë asnjëherë që LDK-ja të jetë në shpërputhje me qëndrimin e miqve amerikanë dhe evropianë.
“Epoka e re”: Por presidenti amerikan Donald Trump kërkoi nga liderishipi kosovar të krijojë një zë unik karshi dialogut me Serbinë.
Tahiri: Që të krijohet ky zë unik duhet ta kemi mbështetjen e sovranit dhe askush më shumë se ShBA-ja nuk e mbështet një koncept politik që transmeton zërin e qytetarëve të Kosovës. Në këtë kuptim edhe qëndrimi i LDK-së është në të njëjtën vijë me qëndrimin e ShBA-së. Duhet ta kemi një zë unik të popullit dhe jo një zë unik të pazareve në Kuvend të dy-tre individëve.
“Epoka e re”: Z. Tahiri, si e shihni arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë dhe a do të votojë LDK-ja këtë marrëveshje?
Tahiri: Ekipi negociator nuk ka legjitimitet, pra nuk e ka mbështetjen qytetare. PSD-ja ka hyrë në Kuvend si Vetëvendosje. Këta nuk kanë marrë mandat për të negociuar në formën se si janë duke u sjellë. Nuk mund të pretendojnë se kanë legjitimitet vetëm se kanë ulëse në Kuvend. Nuk mund të flasim tani për situata hipotetike nëse do të vinte apo jo një marrëveshje e tillë. Ekipi negociator nuk ka kapacitete për t’i sjellë Kosovës marrëveshje të dobishme. Por, mund t’i sjellë vetëm një marrëveshje të dëmshme.
Shqipe HETEMI