Ekipi olimpik i xhudos mëson shortin në rrugën drejt medaljeve olimpike
Ekipi olimpik i xhudos ka mësuar sot shortin para garave që i nisin të shtunën në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Të pesë garuesit tanë me normë olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova synojnë medalje olimpike.
Trajneri Driton Kuka, që ka ndjekur online shortin për shkak të masave ndaj Covid 19, pret që garuesit e tij të vazhdojnë tutje edhe pas raundit të parë.
“Shorti në Lojërat Olimpike e ka rëndësinë e vet, por jo të madhe. Për ekipin tonë shorti është një nismë e rrugëtimit. Në xhiron e parë realisht garuesit tanë duhet të ecin tutje, e pastaj të shohim”, deklaroi Kuka.
<span;>Numri një në renditjen olimpike, Distria Krasniqi, e cila garon të shtunën, ka kaluar raundin e parë pa luftë, pasi është bartësja e parë e kategorisë deri në 48 kilogramë.
<span;>Në raundin e dytë do të përballet me fituesen e luftës mes Gabriela Chibana (Brazil) dhe Harriet Bonface (Malavi).
Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në raundin e parë do të takohet me hungarezen Reka Pupp, kategoria deri në 52 kg. Kelmendi është bartësja e katërt. Ajo garon më 25 korrik.
Medalistja e bronztë e botës, bartësja e tretë e kategorisë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova, raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në raundin e dytë pret fituesen e luftës mes Sabina Filzmoser (Austri) dhe Sanne Verhagen (Holandë). Nora garon më 26 korrik.
Pa luftë në raundin e parë ka kaluar edhe medalistja tjetër e bronztë e botës, Loriana Kuka, kategoria -78 kg. Ajo në luftën e dytë përballet me fituesen e duelit mes Marie Branser (Kongo) dhe Aleksandra Babintseva (Rusi). Loriana garon më 29 korrik.
Kampioni i Evropës Akil Gjakova në raundin e parë përballet me Ahmed Ayash të Jemenit, ndërsa nëse kalon kundërshtarin e parë, në të dytën e pret Nils Stump i Zvicrës. Akili garon më 26 korrik.
Para hedhjes së shortit, me nga një fjalë rasti janë drejtuar presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, si dhe drejtues tjerë të federatës dhe vendit mikpritës, ndërsa në prezantimin e kategorive, nuk kanë munguar pamje të xhudistëve tanë, të cilët janë vlerësuar lartë për potencialin që kanë.
Iu urojmë fat dhe sukseset ekipit tonë të xhudos në rrugën drejt medaljeve olimpike.