Ekipi Olimpik i Kosovës përfundoi garat në Lojërat Mesdhetare
Tarragona 2018, të cilat do të mbyllen sonte me ceremoninë mbyllëse. Kosova do të kthehet me katër medalje, tri prej tyre të arta dhe një të argjendtë dhe të gjitha këto të fituara nga sporti i xhudos, falë edhe trajnerit, kampion Olimpik, Driton Kuka, si dhe kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi, që ishte në cilësinë e trajneres.
Distria Krasniqi (-52 kilogramë), Nora (-57 kg) e Akil Gjakova (-73 kg) fituan medaljet e arta, kurse Loriana Kuka (-78 kg) të argjendtën.
Afër medaljes ishin edhe xhudistja Laura Fazliu (-63 kg), karateistja, Adelina Rama (-61 kg), si dhe boksierët, Dielli Vranoci (-69 kg) e Violant Sylejmani ((-60 kg), të cilët humbën luftërat kryesore, që ua siguronin medaljen e bronztë, sikurse peshëngritësja, Leonora Brajshori, që doli e katërta dhe e pesta në disiplinat shtytje dhe shkëputje, kategoria -53 kg. Rama, Fazliu, Vranoci e Sylejmani zunë vendet e para.
Nga sportistët tjerë, karateisti, Alvin Karaqi, shigjetari, Hazir Asllani dhe tenisti Granit Bajraliu, kaluan raundin e parë.
Nënkampioni ballkanik, Musa Hajdari, ishte i 13-ti nga 18 sosh në disiplinën 800 metra, kurse shenjëtari, Nexhat Sahiti, i 15-ti nga 21 pjesëmarrës në disiplinën qitje me pistoletë ajri 10 metra. Të tjerët përfunduan kryesisht në pozitat e fundit, sikurse në ekipore, volejbolli në rërë (femrat), pingpongu (meshkujt) dhe tenisi (meshkujt), që nuk shijuan fitoren.
Krahas 40 sportistëve dhe 13 trajnerëve, Kosova në Tarragona 2018 u paraqit edhe me katër gjyqtarët: Ardian Muhadri (karate), Latif Demolli (boks), Abedin Bahtiri (pingpong) dhe Valon Nikqi (volejboll në rërë), të cilët përfaqësuan denjësisht vendin tonë, duke ndarë drejtësinë edhe në ndeshjet gjysmëfinale dhe finale.
I pranishëm në Tarragona 2018, për disa ditë ishte edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, i cili nga afër përkrahi sportistët dhe pa fitimin e medaljeve nga xhudistët.
Në përgjithësi, ekipi Olimpik i Kosovës debutoi suksesshëm në shtetin e Spanjës, vend ky që nuk e njeh Pavarësinë e shtetit tonë. Vendi ynë përfundoi në pozitën 14 për nga numri i medaljeve, nga 26 shtete pjesëmarrëse. Delegacioni i Kosovës arrin nesër (e hënë) pasdite në Prishtinë.