EKOLOGA E DYTË: AMSTERDAME

09 janar 2020 | 08:23

IVAN XHEPAROSKI

(DARKË SOLEMNE ME XHAZ IMPROVIZIME)

Në qendër të Amsterdamit, menjëherë nën
dhomën nr. 210 të hotelit “Princ Hendrik”
në rrugën “Argjinaturë detare” (Zeedijk)
dekani i Fakultetit Filozofik
nga Shkupi, me profesion defektolog,
mbajti fjalim në darkën e përbashkët
për anëtarët e punësuar të kolektivit
të ardhur në ekskursion shkencor në
tokën e mullinjve të erës, tulipanëve
drogave të lehta dhe proceseve ndërkombëtare
gjyqësore.

Fjalimi ishte i shkurtër dhe i përzemërt,
kurse muzika që dëgjohej në restorant, njësoj si edhe zhurma
e vizituesve të tjerë, aspak nuk i
pengonin fjalët e drejtuara kah kolegët.
Kuptohet, ata që pinin duhan ishin jashtë, në rrugë.

Para hyrjes së restorantit tonë,
më saktësisht në ndërtesën aty pranë,
në ardhje dhe në shkuarje nga festimi
dy herë ndalova para pllakës përkujtimore
të të famshmit xhaz trombistit dhe vokalistit
Çet Bejker. Mendova: këtu Bejkeri
e ka interpretuar performancën e tij të shquar
lirikën My fanny Valentine.
I lumtur, të afërmve ua tregova edhe reliefin
e trombistit të varur para derës së hyrjes.
Të nesërmen në të gjithëditurën wikipedia lexova
se Bejker, në fakt, këtu e kishte humbur jetën
më 13 maj të vitit 1988, në orën tre të mëngjesit,
duke kërcyer nga dritarja e dhomës 210 që gjendej
në katin e dytë të hotelit ku kishte qëndruar.
Trupin e tij në orët e para të mëngjesit
e kishin gjetur disa kalimtarë të vonuar
kurse në dhomën e hotelit si dhe në trupin
e xhaz mjeshtrit u gjetën gjurmë heroine dhe kokaine
që, me siguri, e kishin shkaktuar fluturimin e kotë.

Thuaja se këtë darkë solemne e kishte organizuar
Xhaz Festivali i Shkupit në kujtim të të madhit
si dhe si pjesë e ekskursionit shkencor për ndikimin
negativ të disa aspekteve të toksikologjisë
mbi krijim vokal dhe instrumental të xhazit!

Amsterdam, 24-25. 05. 2011

Përktheu: Shkëlzen Halimi

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputeti,…