Ekonomia afgane në kolaps, Perëndimi i prerë: Sanksione derisa të pranoni shkollimin e grave
Situata ekonomike në Afganistan është tejet kritike, ku 23 milionë qytetarë përballen me urine, fëmijët me kequshqyerjen, spitale të tejmbushur, 70 për qind e mësuesve punojnë pa rroga dhe miliona studentë – e ardhmja e Afganistanit – kanë braktisur shkollën.
Kjo ishte pamja e zymtë që pikturoi Nënsekretari i Përgjithshëm për Çështjet Humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, përpara përfaqësuesve të Organizatës së vendeve islamike në Islamabad.
Kolapsi ekonomik i Afganistanit do të kishte një ndikim “të tmerrshëm” në rajon dhe në botë, paralajmëruan folësit e njëpasnjëshëm në samitin njëditor të ministrave të jashtëm nga dhjetëra vende islamike.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik në Islamabad mblodhi së bashku dhjetëra ministra të jashtëm me përfaqësuesit specialë për Afganistanin të fuqive të mëdha, duke përfshirë Kinën, SHBA-në dhe Rusinë.
Aktorë të ndryshëm kërkuan që amerikanët dhe vendet e tjera të lehtësonin sanksionet, duke përfshirë lirimin e 10 miliardë dollarëve në fondet e ngrira pas marrjes së Kabulit nga Talibanët më 15 gusht.
“Ky tubim ka të bëjë me popullin afgan,” tha ministri i jashtëm pakistanez, i cili paralajmëroi se pa ndihmë të menjëhershme, Afganistani ishte i sigurt se do të rrënohej.
Ai tha se kjo do të kishte “pasoja të tmerrshme”, jo vetëm në jetët afgane të humbura nga uria dhe sëmundjet, por me siguri do të rezultonte në një eksod masiv të afganëve. Kaosi do të përhapej, parashikoi ai, dhe do të lejonte terrorizmin dhe tregtinë e drogës të lulëzojnë.
Perëndimorët ndërkaq janë të vendosur se nuk ka heqje sanksionesh nëse qeveria talibane nuk tregon vullnet dhe prova për respektimin e të drejtave të njeriut, siç është një gjë bazike – arsimimi i grave.