Ekonomia e Eurozonës do të rritet më shpejt se sa pritej
Ekonomia e Eurozonës do të rritet më shpejt se sa pritej më parë gjatë këtij viti pasi po rikuperohet nga recesioni i shkaktuar nga pandemia dhe do të vazhdojë të zgjerohet fort në vitin 2022 me një rënie të deficitit dhe borxhit publik, parashikon Komisioni Evropian.
Komisioni tha se Prodhimi i Brendshëm Bruto në 19 vendet që ndajnë euron do të rritet 5 për qind këtë vit pas një recesioni prej 6.4 për qind në 2020. Ai parashikoi rritje prej 4.3 për qind në 2022 dhe 2.4 për qind në 2023. Parashikimi i tij në maj për vitin 2021 ishte vetëm 4.3 për qind.
“Masat tona për të zbutur goditjen e pandemisë dhe për të rritur vaksinimet në të gjithë BE-në kanë kontribuar qartë në këtë sukses”, tha nënpresidenti i KE-së, Valdis Dombrovskis.
Komisioni tha se inflacioni do të arrijë në 2.4 për qind në 2021 nga 0.3 për qind në 2020, përpara se të ngadalësohet në 2.2 për qind në 2022 dhe 1.4 në 2023. Kulmi i rritjes së çmimeve do të vijë në katër muajt e fundit të këtij viti dhe më pas do të ngadalësohet gradualisht përgjatë vitit 2022.
Borxhi publik, i cili do të arrijë në 100 për qind të PBB-së totale për Eurozonën këtë vit, do të bjerë në 97.9 për qind në 2022 dhe 97 për qind në 2023, një reduktim më i shpejtë se parashikimi në maj.