Ekonomia e Gjermanisë u rrit në nivel rekord në çerekun e tretë
Ekonomia e Gjermanisë ka shënuar rritje rekorde prej 8.5 për qind gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga efektet e pandemisë.
Kjo rritje erdhi si rezultat i rimëkëmbjes së pjesshme të ekonomisë më të fuqishme evropiane nga rënia e pashembullt që u shënua gjatë valës së parë të pandemisë, shkruan “Reuters”, transmeton “Express”.
Rritja ekonomike në çerekun e tretë ishte edhe më e lartë se parashikimi paraprak për rritje prej 8.2-përqindësh.
Përmirësimi i situatës ekonomike erdhi pas rënies së madhe prej 9.8 për qind që ekonomia gjermane pësoi në çerekun e dytë të vitit.
Gjatë verës, Gjermania i ka lehtësuar masat kufizuese dhe aktiviteti ekonomik ka vazhduar me ritëm më të lartë se në çerekun e dytë, kur qeveria mbylli kufijtë dhe vendosi shumë masa tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.